Prishtinë, 1 janar, NOA - Publicisti i njohur shqiptar, Veton Surroi, thotë se, në Maqedoni, ndarja etnike po arrin një nivel të paprecedent. “Në Maqedoni, ndarja etnike po arrin një nivel të paprecedent, ku shqiptarët etnikë janë njëri grup që zgjedhin NATO-n dhe BE-në, dhe grupi tjetër domethënës i maqedonasve etnikë që zgjedhin narrativën historike, e cila rrjedh nga emri “Maqedoni” ka vlerësuar Surroi.
Surroi i ka bërë një analizë zhvillimeve politike të fundit në Ballkan, duke marrë për analizë katër shtetet e këtij rajoni, Maqedoninë, Bosnjë Hercegovinën, Kosovën dhe Serbinë.
Sipas tij, emëruesi i përbashkët për këto katër vende është se jetojnë në një kontradiktë të brendshme të dy proceseve historike simultane, ai i integrimit dhe ai i disintegrimit.
“Përkatësisht, “hapësira e papërfunduar” e katër vendeve ende po përjeton tronditjet e procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e në të njëjtën kohë “hapësira” e përgjithshme dhe vendet një nga një po marrin përsipër një proces të integrimit në Bashkësinë Evropiane”, është shprehur Surroi.
Ai vlerëson se, kontradikta mes dy proceseve divergjente nuk është e re, ajo ekziston që nga fillimi i shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.
“Me qëllim të të kuptuarit të shenjave të këtyre rrugëve, shpërbërja duhet të përkufizohet si hapi tjetër negativ pas status quosë negative aktuale (konflikti i ngrirë në Kosovë, Bosnjë-Hercegovina jofunksionale, mangësia e legjitimitetit në Maqedoni, politikat irredentiste në Serbi) apo më keq, sekuenca e ndarjes etnike (me siguri të realizuara me dhunë) që do të shkatërrojë Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë, si dhe do të gëzojë apetitet për territor të serbëve, kroatëve e shqiptarëve”, ka shtuar më tej Surroi.
Në fund ai thekson se, në këta rajon, rreziqet e shpërbërjes dhe të dhunës, njëzet vjet më pas, ende nuk kanë përfunduar.
NOA/INA