Korçë, 1 Shkurt 2011/A.Filipi – Mënyra më e mirë dhe më e shpejtë për të fituar ca para, ka qenë ajo e mashtrimit të një gruaje. Ndaj i ka premtuar “qiellin e shtatë” dhe i ka përlarë një milion lekë të vejtra ose rreth një mijë USD.
Gruaja e mashtruar, P.C., 57 vjeçe nga qyteti i Korçës, e ka kuptuar ca me vonesë se kishte rënë pre e një hajduti dhe me ta kapur këtë fakt ka denoncuar në drejtorinë rajonale policore.
Ditën e sotme, kjo polici komunikoi për mediat, identifikimin e 59 vjeçarit Ilke Nikolla, banues në Lagjen nr 1 Korçë, për të cilin filloi procedimi penal ne gjendje te lirë.
Korrespondentja e NOA detajon se Nikolla, në muajin Dhjetor 2010, i ka vjedhur me anë të mashtrimit shumën prej 100.000 lekë të reja, shtetases P.C 57 vjeçe, duke mos ia kthyer më.
Policia tha se vepra penale e konsumuar prej Nikollës, është ajo e “Mashtrimit” dhe materialet për këtë rast i kaluan Prokurorisë Korçë për veprime të mëtejshme.
a.f/NOA