English

PS: Drejtuesit e policisë do të përballen me ligjin (VIDEO)

Tiranë, 1 shkurt, NOA – Partia Socialiste ka kërkuar sot nga drejtuesit e Policisë së Shtetit zbatimin e urdhër-ndalimeve të prokurorisë për efektivat e gardës, duke u kujtuar se mos zbatimi i këtij urdhri do të ketë pasoja ligjore.

Deputetja e PS, Ermonela Felaj tha sot për mediat se drejtuesit e policisë nuk mund t’i shpëtojë Sali Berisha në momentin që do të përballen me të vërtetën.

“Drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet ta dinë se zbatimi i urdhrave politike të Sali Berishës nuk ka për t’i shpëtuar ata nga përballja me ndëshkimin e rëndë që parashikon ligji për këtë shkelje flagrante që po konsumojnë. Le të mos i gënjejë mendja këta zotërinj se do të mund të fshihen pas alibisë së urdhrave të të ashtuquajturit kryeministër”, tha sot Felaj.

Ajo u shpreh se përgjegjësia për moszbatimin e kësaj kërkese të sistemit të drejtësisë është e drejtuesve të policisë dhe se ata “bëjnë mirë të kujtojnë pasojat e rënda penale që bart ky refuzim për të gjithë”.

Felaj shtoi se kërkesa për dorëzimin e gardistëve është në bazë të ligjit dhe policia duhet ti referohet vetëm neneve të ligjeve të vendit.

“Ne kërkojmë që Policia e Shtetit të dorëzojë menjëherë të 6 gardistët tek organet e drejtësisë, jo pse këtë e kërkon opozita, jo pse këtë e kërkojnë familjet e të vrarëve e të plagosurve, jo pse këtë e kërkojnë shqiptarët që nuk mund t’i tolerojnë kurrë vëllavrasësit mes tyre. Policia e Shtetit duhet t’i dorëzojë të 6 gardistët përgjegjës për tragjedinë e 21 janarit sepse këtë e kërkon ligji”, tha sot Felaj.

Deputetja e PS-së akuzoi kreun e qeverisë se po bënë një puç institucional duke mos bazuar ligjet dhe duke ndërhyrë në pavarësinë e institucioneve. “I vetmi puç që po ndodh sot në Republikën e Shqipërisë është sulmi primitiv e i papranueshëm i regjimit të Saliut kundër Prokurorisë e sistemit të drejtësisë për të shpëtuar togën e vrasësve të Gardës Republikane që vrau shqiptarë të paarmatosur e të pafajshëm sepse guxuan të protestojnë kundër Saliut”, tha Felaj.

a.k/NOA

[media id=59 width=620 height=440]

KOMENTE