English

Shtohen zërat për zgjedhje të parakohshme në Maqedoni

Shkup, 1 shkurt, NOA - Në Maqedoni janë shtuar kërkesat e partive opozitare për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Të gjitha forcat politike të opozitës duke përfshirë ato maqedonase dhe shqiptare kërkojnë mbajtjen e zgjedhjeve, duke akuzuar pushtetin aktual për dështim në planin ekonomik dhe bllokimin e proceseve euro-integruese.

Opozita ka braktisur punimet e Parlamentit, ndërsa kjo situatë ka shtuar gjasat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

Lidhja Social Demokrate (LSDM) pas braktisjes së Parlamentit bëri thirrje për organizimin e shpejtë të zgjedhjeve, duke e quajtur qeverinë antidemokratike dhe antipopullore, e cila siç thuhet po rrezikon lirinë e demokracisë në vend.

Kreu i PDSH-së, Menduh Thaçi gjithashtu dje përsëriti kërkesën për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. “Vlerësoj se varianti më i dhimbshëm, më i qetë dhe më demokratik për të dalë nga kjo krizë është shkruaja e vendit në zgjedhje të parakohshme. Ne jemi të gatshëm, por kërkojmë ndryshime në kodin zgjedhor”, theksoi Menduh Thaçi.

Kërkesën e njëjtë e ka bërë edhe Demokracia e Re (DR) e cila gjithashtu nëpërmjet zgjedhjeve e sheh shpëtimin e vendit nga izolimi dhe kriza e krijuar gjithëpërfshirëse në Maqedoni.

Kryeministri dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski mbrëmë deklaroi se për momentin partia që drejton ai nuk ka ndonjë qëndrim për zgjedhjet e parakohshme.

“Subjekti ynë do të shqyrtojë të gjitha opsionet dhe në rast se do të miratohet një vendim i tillë, atëherë opinioni do të njoftohet me kohë”, deklaroi Gruevski, duke mos përjashtuar mbajtjen e zgjedhjeve.

Komisioni Evropian ka shprehur shqetësimet lidhur me krizën e krijuar politike në Maqedoni, pas bojkotit të Parlamentit nga ana e opozitës.

NOA-INA

KOMENTE