Tiranë, 1 shkurt, NOA - Unioni i Gazetarëve Shqiptarë ka reaguar sot përmes një deklarate për shtyp ndaj vendimit të komisionit parlamentar hetimor mbi ngjarjet e 21 janarit për t’u vënë në dispozicion të tij tabulatet e telefonave personalë të gazetarëve Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakuli dhe Mero Baze.
“Kjo kërkesë, e cila vjen prej një komisioni të paplotë hetimor për shkak të pjesëmarrjes në të vetëm të deputetëve të shumicës në qeverisje, bie ndesh me të drejtën e gazetarit për të qenë i pavarur, i lirë dhe në mëvetësinë e tij për informim”, citon ndër të tjera kjo deklaratë.
Duke shtuar se “ky vendim cënon të drejtën themelore për privatësi dhe kërcënon hapur kolegët për t’i implikuar ata në përballjen e egër politike që aktualisht pozita dhe opozita ndajnë në realitetin e përditshëm politik”.
“Unioni i Gazetarëve Shqiptarë apelon pranë këtij komisioni të tërhiqet mbrapsht një kërkesë e tillë, ndërkohë që u drejtohet institucioneve ligjore të vendit dhe shoqatave ndërkombëtare për të reaguar ndaj kësaj kërkese të paprecedentë”, shton më tej UGSH-ja.
Duke i bërë në fund apel çdo individi dhe institucioneve partiake e politike në vend, të ndërhyjnë që kjo kërkesë e padrejtë të mos përdoret për politizimin e mediave dhe misionit të gazetarëve në realitetin e sotëm.
“Shpallim shqetësimin tonë të madh ndaj kësaj kërkese e cila në vetvete mbart rrezikun e kërcënimit dhe të implikimit të gazetarit në luftën e ashpër politike që pozita dhe opozita bëjnë në këtë vend.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë u drejtohet organizatave prestigjioze ndërkombëtare të gazetarëve në Botë, të reagojnë ndaj këtij vendimi të komisionit hetimor , duke e vlerësuar reagimin dhe kërkesën tonë si një nevojë për garantimin e lirisë së mediave dhe gazetarit në realitetin e vendit”, përfundon deklarata.
n.e/NOA