English

Blerim Destani, aktori që po sfidon kinematografinë botërore

Shkup, 2 shkurt, NOA – Për publikuan shqiptar është bërë i njohur me filmin “Koha e Kometës”. Blerim Destani solli me këtë film një realizim brilant i rolit të Shestan Verdhës, që e kishim njohur vetëm nëpërmjet penës së Ismail Kadaresë në libri “Viti i mbrapshtë”. Por ky nuk është i vetmi rol, Destani ka arritur të ketë sukses dhe në kinemanë botërore. Janë një sërë filmash të realizuar dhe projekte të tjera që presin të xhirohen. Në një intervistë, Destani flet për të ardhmen e tij si aktor, rrugën e ngjitjes në kinemanë botërore dhe jetën private.

Blerim, ju jeni një nga aktorët e parë shqiptarë nga Maqedonia por edhe më gjerë që po pushtoni arenën e kinematografisë botërore. Cilat ishin sfidat që u ballafaquat për të arritur deri këtu ku jeni sot ?

Ka qenë shumë e vështirë, ashtu siç edhe janë të vështira të gjitha punët e mëdha. Falë punës dhe përkushtimit tim të madh në punë, sukseset nuk munguan. Sfidat ishin të mëdha, por siç do sfidë në jetë për mua është vetëm motivim për të vazhduar përpara. Pas “Koha e kometës” gjithçka ishte sfidë për mua. Pata rastin të gjendem në sheshe të xhirimit në Zelandën e re, në Australi, në SHBA, në Gjermani, në Belgjikë. Më duhet të them se gjithë sfidat që kam kaluar tani janë përvojë e imja ndërsa sfidat më të mëdhaja i kam para meje.

Cili është angazhimi juaj momental në botën e filmit ?

Filmi im më i ri është “Berlin Project” i cili është në fazën e fundit të postprodukcionit. Ndërsa momentalisht jam në përgatitje të realizimeve të reja për këtë vit. Më presin shumë punë, por nuk dua të flas për plane, por vetëm për vepra të realizuara.

“Dosja K” një film tejet impresionues është një nga filmat shumë të kërkuar dhe të ndjekur. Mendoni që tematikat e filmave ku jeni protagonistë do të vijojnë me histori apo ngjarje që reflektojnë elemente kombëtare shqiptare ?

Nuk dua të tingëllojë jo – modest, por tani jam në pozicion që të bëj përzgjedhje, pasi kam shumë oferta. Kuptohet që disa nga kriteret kryesore në përzgjedhje janë pikërisht tema, si trajtohet ngjarja dhe profili i personazhit. Ngjarjet me elemente kombëtare më preokupojnë dhe kuptohet që ato tek unë kanë prioritet pasi dua që sa më shumë të jap kontribut në zhvillimin e kinematografisë sonë kombëtare.

Për dallim nga aktorët apo artistë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, tek ju vërehet origjinaliteti i juaj, sidomos në ruajtjen dhe prezantimin insistues si një aktorë shqiptarë. Ky konstatim vjen nga shumë artistë dhe adhurues të botës së filmit ?

Artistët dhe sportistët e suksesshëm janë në njëfarë mënyre ambasadorë të kulturës sonë kombëtare. Dhe unë me sa mundem e jap kontributin tim në këtë drejtim. Është një diçka me të cilën unë krenohem, krenohem me prejardhjen time, me familjen time dhe me vlerat e përgjithshme kulturore që ka populli ynë. Dhe nuk shoh përse të mos prezantohem që jam shqiptar, kur jam.

Cilat janë momentet më pozitive apo që kanë kulmuar me një “happy end” në karrierën e deritanishme të filmit ?

Karriera ime është në zhvillim të vazhdueshëm. Dhe deri tani gjithçka ka përfunduar me një “happy end” siç thoni ju, pasi puna ime është vlerësuar shumë mirë. Kjo për mua është edhe një përgjegjësi pasi më duhet të vazhdoj në të njëjtën vijë.

Po, ajo që ju ka shfaqur tek ju rezerva apo pakënaqësi ?

Zakonisht gjërat që i përmendi ju, unë nuk dua t’i përmend, ato thjesht janë një përvojë e imja dhe mundohem që të nxjerr mësime nga përvojat e tilla, që në njëfarë mënyre janë pjesë përbërëse e jetës.

Cila është ana private e jetës suaj. Si e kalon një 24 orësh të zakonshëm Blerimi ?

Gjithçka varet për çfarë periudhe të kohës është fjala. Kur jam i angazhuar gjithçka është nën një agjendë të rreptë, me detyrime të paracaktuara. Kur kam kohë të lirë dhe kur gjendem në shtëpi, mundohem që pjesën më të madhe të ditës, ose të paktën para ditën ta kaloj në shtëpi, me familjen, pasi në kohën tjetër të ditës duhet të kompensoj shumë takime me miqtë për të cilët nuk kam kohë kur jam i angazhuar.

Jeni të lidhur shumë me familjen tuaj dhe gjithnjë këtë e keni shfaqur në shumë paraqitje tuaja. Sa familja është një shtytëse e synimeve dhe përcaktimeve tuaj në botën e kinematografisë ?

Familja është gjithçka. Për mua është pasuria kryesore, është qeliza e parë e shoqërisë dhe kur ke familje të mirë, çdo pjesëmarrës i saj është i tillë. Për mua familja është tejet e rëndësishme pasi aty është edhe burimi i energjisë dhe emocioneve të mia. Aty është edhe forca ime. Jam i lumtur që kam pasur përkrahjen maksimale nga familja ime, dhe unë këtë përkrahje e kam arsyetuar me rezultate në punën time.

Në anën tjetër, ka pasur shumë zëra për lidhje apo flirte nëpërmjet mediave me femra të ndryshme. A mund të na jepni ndonjë ekskluzivitet, për të ditur të parët se ka diçka në këtë drejtim dhe jeni ka planifikoni ?

Të gjitha ato që i përmendni janë në rrafshin e thashethemeve. Nuk preferoj t’i komentoj thashethemet, dhe nuk jam marr me gjëra të tilla. Kuptohet që kur të vij koha që të ketë diçka nga sfera e jetës sime private, atëherë ajo do të bëhet publike dhe do ta dinë të gjithë. Ndoshta së shpejti...

Duke ndjekur karrierën tuaj, ne vlerësojmë gjithnjë se ju nuk rrini të qetë dhe gjithnjë na befasoni me projekte të reja, surpriza për të mirë në botën e filmit. Çka mund të presim diçka të re nga Blerim Destani ?

Filmi i radhës që do të prezantohet para publikut është filmi “Berlin Project”, është një film shumë specifik dhe jokonvencional. Fjala është për një film që është xhiruar në një plan të vetëm dhe publiku do të ketë rastin të më ndjek mua për 90 minuta në një mision në një plan(kuadër) të vetëm pa asnjë ndërprerje. Besoj që ky film do të jetë befasi e këndshme jo vetëm për publikun shqiptar por edhe më gjerë në nivele të kinematografisë ndërkombëtare.

NOA/INA

KOMENTE