Tiranë, 2 Shkurt 2011 NOA – Disa gazetare si dhe një numër shkrimtaresh, këngëtaresh e femra të tjera të jetës publike në vend, kanë dalë sonte me një deklaratë ku shprehin kritika ndaj asaj që e cilësojnë dhunë verbale ndaj Ina Ramës.
Nisma “Apel për ndalimin e dhunës verbale ndaj gruas shqiptare”, është nënshkruar nga gazetare si Rudina Xhunga, Mimoza Picari, Fjodora Fjora, Mimoza Dervishi, këngëtare si Alketa Vejsiu, botuese si Arlinda Dudaj, politikane si Milva Ikonomi, etj.
Më poshtë vijon deklarata e plotë dhe lista e nënshkrueseve:
Prej kohësh kemi ndjekur me shqetësim e tronditje të thellë gjuhën e përdorur nga Kryeministri i vendit në daljet e tij publike. E njëjta gjuhë u përdor së fundi edhe ndaj Kryeprokurores së Republikës, znj. Ina Rama.
Ne besojmë se sot çdo grua ndjehet e lënduar, e fyer dhe e dhunuar nga një sjellje e tillë agresive e jo qytetare ndaj një nëne, një gruaje dhe një drejtueseje të një Institucioni të Pavarur Kushtetues. Kjo gjuhë, përveçse fyerje e denigrim ndaj personalitetit të Kryeprokurores, është njëherësh edhe një presion direkt që i ushtrohet për shkak të detyrës.
Ne dëshirojmë të kujtojmë se nuk është as në traditën e shqiptarëve që një burrë, një prind e gjysh, e për më tepër Kryeministri i vendit, të cënojë nderin e dinjitetin e grave të këtij vendi. Nuk është në nderin dhe në moralin e burrave shqiptarë, që kanë ditur të respektojnë e të lartësojnë vlerat e grave shqiptare, t’i fyejnë ato për shkak të angazhimit publik apo politik.
Politika shqiptare, drejtimi i shtetit, administrata kanë nevojë për pjesëmarrjen e grave, për kurajën, për dinjitetin e profesionalizmin e tyre, për aftësinë për të mos u bërë palë. Kjo vlerë nuk mund t’ju kthehet grave në kosto.
Gjuha e përdorur nga Kryeministri i vendit, përveçse një shkelje e rëndë e etikës dhe e moralit qytetar dhe traditës shqiptare është gjithashtu dhunim i të drejtave njerëzore të parashikuara në konventat ndërkombëtare, të cilat Shqipëria i ka nënshkruar.
Ne sot bëjmë apel që të ndalet gjuha e fyerjes, gjuha e dhunës dhe e presionit dhe të respektohen të drejtat e grave, vajzave dhe nënave si të drejta themelore njerëzore.
Gratë dhe vajzat shqiptare e kanë merituar respektin e shoqërisë, ato nuk kërkojnë lëmoshë, por respekt për vlerat që përfaqësojnë si gra, si nëna dhe si profesioniste të afta.
Adriana Berberi
Alketa Vejsiu
Anita Shkëmbi
Arlinda Dudaj
Alba Agolli
Aida Bala
Diana Çuli
Eneida Belkovi
Eranda Ndregjoni
Fjodora Fjora
Juliana Hoxha
Kristina Jorgaqi
Meme Xhaferaj
Milika Dhamo
Milva Ekonomi
Mirela Arqimandriti
Mimoza Dervishi
Mimoza Picari
Monika Kocaqi
Rajmonda Bozo
Rudina Xhunga
Zamira Cavo
Valdet Sala