Tiranë 2 shkurt, NOA, Update – Policia e Tiranës ka bërë të ditur emrat e dy personave që kanë rrëmbyer paraditen e sotme një qytetar në periferi të Tiranës. Ata janë Arben Myslim Doka, 43 vjeç dhe Islam Lefter Bajrami, 23-vjec, të dy banues në Tiranë.
Ndërkohë personi i marrë peng është A. Hoxha, 17-vjeç. Pengmarrja ka nisur në orën 11.50 në fshatin Feraj. Dy personat pasi kanë keqtrajtuar A. Hoxhën e kanë futur atë në bagazhin e një automjetit tip “Benz 250”, ngjyrë e bardhë, dhe po lëviz në drejtimin e vendit të quajtur “Kafja e Rremës”.
Policia bënë të ditur se pas sinjalizimit “menjëherë nga shërbimet e Komisariatit të Policisë nr.4, Qarkullimit Rrugor dhe Sektorit Kundër Krimeve të Rënda në DPQ Tirane, u bllokuan hyrje-daljet e kësaj zone. Pas krehjes së menjëhershme të zonës dhe një pune intensive, rreth orës 12.05 u bë e mundur kapja e mjetit të dhënë në kërkim policor, ku në bagazhin e të cilit u gjend i dëmtuari, shtetasi A. Hoxha, vjeç 17”. a.k/NOA