Tiranë, 2 Shkurt 2011 NOA –Prokurorja e Përgjithshme deklarohet kundër marrjes në pyetje në Komisionin Hetimor Parlamentar dhe thekson se nuk pranon t’i përgjigjet asnjë pyetjeje nga anëtarët dhe drejtuesit e këtij komisioni e në fund largohet në mënyrë demonstrative nga salla.
Duke renditur gjatë gjithë fjalës së saj disaminutëshe një sërë klauzolash ligjore, Ina Rama konsideroi se ato e pengojnë që në detyrën e Prokurores së Përgjithshme të merret në pyetje dhe të dëshmojë në Komisionin Hetimor Parlamentar.
Për shkak të pasjes së një çështjeje në hetim, kufizimi ligjor për të njoftuar Kuvendin për hetime të veçanta, unë nuk mund të jap përgjigje për pyetje që shtrohen nga ky Komision Hetimor, - deklaroi Ina Rama.
“Ngjarjet që ju po hetoni, janë të njëjtat ngjarje që ne po hetojmë dhe unë nuk mund të vazhdoj më të qëndroj”, - deklaroi zonja Ina Rama dhe u largua nga salla.
Largimi i saj u pasua nga reagimet e anëtarëve të Komisionit duke kritikuar ikjen në mënyrë demonstrative dhe u shprehën të vendosur të vazhdojnë këtë hetim. Kreu i Komisionit, Eduard Halimi tha se ka zero mbivendosje nga ky Komision me hetimet që po zhvillon Prokuroria".
"Komisioni do ta shikojë me kujdes të gjithë qëndrimin arrogant dhe në përputhje me të gjitha provat që po administron ky komision", - deklaroi z.Halimi.
Më poshtë vijon fjala e plotë e Ina Ramës:
I NDERUAR Z. KRYETAR I KOMISIONIT
TE NDERUAR ANËTARË,
Jam thirrur sot prej jush në këtë seancë pyetjesh në zbatim të nenit 14 germa “b” e ligjit nr. 8891 datë 02.05.2002 “për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore” me cilësinë e titullarit të institucionit, pra në cilësinë e Prokurores së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë.
Jam këtu sot, para jush, pikërisht në respektim të kushtetutës, ligjit e institucioneve të vendit tim.
Për sa më sipër, në emër të pozicionit tim, doja t’ju parashtroja sa më poshtë:
Sipas kuadrit kushtetues e ligjor, prokuroria është konceptuar si organ i pavarur, që në ushtrimin e funksioneve të saj i nënshtrohet vetëm Kushtetutës dhe ligjeve.
Në nenin 8 të ligjit ”Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” është parashikuar se “Prokurori i Përgjithshëm është autoriteti më i lartë për ushtrimin e ndjekjes penale dhe përfaqësimin e akuzës në gjyq në emër të shtetit…”.
Referuar vendimit nr. 26, datë 4.12.2006 të Gjykatës Kushtetuese, këto funksione te Prokurorit te Përgjithshëm ushtrohen prej tij si drejtues profesional e jo politik i prokurorisë, karakteristika të cilat i sigurojnë pavarësinë profesionale organit të prokurorisë.
Në të njëjtin vendim, Gjykata Kushtetuese arsyeton se “Funksioni i organit të prokurorisë – si përfaqësues i akuzës në emër të shtetit (neni 148/1 i Kushtetutës), bën që ky organ të ketë të drejtën ekskluzive të vendosë ndjekjen penale ose jo, d.m.th., të shpjerë ose jo një çështje në gjyq, ta pushojë ose jo një çështje në fazën e gjykimit. Kuvendi apo komisionet hetimore të tij nuk kanë tagrën e rishikimit të vendimit të marrë nga prokuroria dhe nuk mund ta shtrëngojnë këtë të ndryshojë vendimet e saj. Në këtë kuadër, Gjykata Kushtetuese ka vlerësuar, se mjetet e kontrollit parlamentar mbi Prokurorinë nuk mund të përdoren asnjëherë si instrument për të shqyrtuar dhe vlerësuar vendimet e marra nga ana e prokurorëve për çështje konkrete. Parlamenti mund të ndikojë në institucionin e Prokurorisë vetëm nëpërmjet tagrave të tij ligjvënëse”.
Më tej, në nenin 53 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), parashikohet shprehimisht se:
1. Prokurori i Përgjithshëm raporton në Kuvend ose komisionet parlamentare të paktën një herë në gjashtë muaj ose sa herë që kërkohet prej tyre. Raportimi përmban të dhëna dhe shpjegime për numrin, llojet, shtrirjen territoriale, intensitetin dhe format e kriminalitetit në Republikën e Shqipërisë, si dhe drejtimet dhe përparësitë në luftën ndaj kriminalitetit.
2. Nuk lejohet njoftimi për çështje konkrete, me përjashtim të çështjeve të dërguara me vendim të Kuvendit”.
Për më tepër, në nenin 4 “Parime të përgjithshme” të ligjit nr. 8891, datë 02.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, pika 5, parashikohet shprehimisht se: “Komisionet hetimore të Kuvendit paraqesin rekomandime në seancë plenare dhe, kur këto miratohen, i dërgohen Prokurorit të Përgjithshëm për marrjen e masave të mëtejshme”.
Gjithashtu, edhe vendimit i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 82, datë 23.01.2011, “Për ngritjen e komisionit hetimor …”, ka parashikuar se objekti i tij nuk shtrihet në ato çështje dhe rrethana për të cilat Prokuroria e Republikës së Shqipërisë ka filluar procedimin penal sipas ligjit”.
Siç vërehet, ekzistojnë një sërë dispozitash që rregullojnë marrëdhëniet e Prokurorit të Përgjithshëm me Kuvendin e Shqipërisë, ndaj, dua t’ju sqaroj se pjesëmarrja ime në çështjen objekt hetimi i komisionit hetimor është tërësisht e bazuar me pozicionin tim kushtetues si prokurori më i lartë.
Njëkohësisht, me këtë rast, ju bëj prezent gatishmërinë e Prokurorisë Shqiptare, në mbështetje të ligjit “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” dhe atij për “komisionet hetimore”, për të vlerësuar seriozisht çdo rekomandim që Kuvendi i Shqipërisë do të na përcjellë në përfundim të këtij hetimi parlamentar.
Prokuroria Shqiptare është duke kryer hetimet e saj për ngjarjet e ndodhura në datën 21 Janar. Këto hetime, po zhvillohen në mënyrë të gjithanshme, objektive dhe profesionale. Veprimtaria hetimore e drejtuar nga prokuroria e rrethit gjyqësor Tirane është orientuar si drejt hetimit te përfshirjes së strukturave shtetërore të ngarkuara me sigurinë e institucioneve publike dhe të rendit publik ashtu edhe në drejtim të hetimit të ushtrimit të dhunës, nxitësve e organizatoreve te saj.
Çdo ngjarje kriminale e cila ka ndodhur ne datën 21 janar, është objekt i hetimit penal të prokurorisë dhe vetëm në përfundim të hetimit të kësaj çështje, Prokuroria Shqiptare do të ketë një konkluzion përfundimtar, mbështetur në rezultatet e një hetimi të plotë.
Ndaj, më duhet të vërej, se çdo çështje që komisioni parlamentar është duke hetuar rreth këtyre ngjarjeve, është në mënyrë integrale e lidhur me hetimin penal të fakteve që po heton vetë prokuroria.
Në këto kushte, për shkak të:
Pasjes së çështjes nën hetim dhe
Kufizimit ligjor që parashikon ligji “për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë” për të njoftuar kuvendin për çështje të veçanta
ju bëj me dije se nuk mund tu përgjigjem pyetjeve tuaja në funksion të objektit të hetimit të këtij komisioni.
Më duhet të respektoj ligjin dhe jam e vendosur të veproj vetëm mbi bazën e ligjit.
Ky është një qëndrim në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjit.
e.r/NOA