English

Isa Mustafa: Këto institucione nuk do të qeverisin katër vjet

Prishtinë, 2 shkurt, NOA - Institucionet që dalin nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, nuk mund ta qeverisin vendin për katër vjet, sepse ka pasur mashtrime të mëdha dhe procesi ka qenë i parregullt, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa. Tani kur pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, cili do të jetë pozicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës në raport me bisedimet e ardhshme për Qeverinë e Kosovës?

Ne po presim që të bëhet certifikimi. Natyrisht se jemi përcaktuar që të mos hyjmë në koalicion qeverisës në këto zgjedhje për arsye se i konsiderojmë me shumë të meta, konsiderojmë se kanë qenë shumë të pandershme, mjaft jodemokratike dhe ka pasur lëshime shumë të mëdha. Mirëpo, përfundimisht do të jepet mendimi i KQZ-së, meqenëse ai është organ ligjor organ kushtetues. Ne do ta respektojmë atë vendim, por po ashtu vlerësimet për zgjedhjet do t’i mbajmë këto që i kemi pasur tani dhe që po i them edhe sot, se janë zgjedhje të pandershme dhe që janë zgjedhje jodemokratike, të cilat nuk do të ofrojnë një stabilitet të institucioneve në të ardhmen, nuk do të ofrojnë të kemi një parlament të qëndrueshëm, një qeveri të qëndrueshme dhe qeveri stabile, për fat të keq. Por, kjo mund të tejkalohet në qoftë se arrihet ndonjë marrëveshje ndërmjet partive politike që të bëhen ndryshime të Ligjit zgjedhor dhe të sistemit zgjedhor, si dhe të caktohet afati optimal për zgjedhjet e ardhshme, të cilat këtij vendi do t’i siguronin një qeverisje stabile.

Sipas Kushtetutës, javët e para do t’i takojnë partisë fituese të zgjedhjeve që të bëjë qeverinë. Keni ju një alternativë rezervë, pasi që në rast se partia e parë dështon, kushtimisht thënë, topi bie mbi Lidhjen Demokratike pastaj që të formojë qeverinë e ardhshme?

Ne, natyrisht, do ta mbajmë përgjegjësinë kushtetuese, e cila i takon LDK-së. Tani për tani nuk jemi deklaruar për atë, por ne jemi të gatshëm çdo moment, sepse është fjala për një parti serioze, për një parti, e cila ka marrë një besim shumë të lartë të qytetarëve në këto zgjedhe, pavarësisht asaj se procesi zgjedhor ka pasur shumë të meta.

Keni proklamuar një ide për një qeveri gjithëpërfshirëse. A mund të na elaboroni disa elemente, mbi të cilat do të ndërtohej një qeveri e tillë?

Ideja themelore qëndron në atë që ne duhet ta përcaktojmë një fazë transitore, në të cilën Kosova nuk mbetet pa institucione. Domethënë, ne domosdo duhet t’i ndërtojmë disa institucione në mënyrë që në Kosovë të zhvillohet jeta institucionale. Por, kjo fazë transitore të qeveriset me një marrëveshje ndërmjet partive politike me një agjendë të caktuar, e cila do të nënkuptonte mënyrën e menaxhimit të buxhetit, sepse sistemi buxhetor është rrezikuar krejtësisht. Tani në Kosovë, qëndrueshmëria buxhetore është në nivelin më të ulët, ose s’ka fare qëndrueshmëri. Po ashtu, do të bëhej ndryshimi i Ligjit për zgjedhje, ndoshta edhe ndryshimi i Kushtetutës, sepse disa çështje të Ligjit për zgjedhje janë të lidhura me Kushtetutën dhe nuk mund të bëhen pa u ndryshuar ajo, që nënkupton edhe pozitën e presidentit të vendit. Pastaj të bëhej regjistrimi i popullsisë dhe posa të përmbyllej kjo agjendë, ne të shkonim në zgjedhje të reja. Kjo do të nënkuptonte një marrëveshje ndërmjet partive politike për mënyrën e qeverisjes gjatë kësaj periudhe, jo një koalicion ndërmjet tyre, e cila do t’i siguronte vendit një stabilitet transitor dhe zgjedhje të reja që do të na i hapte dyert e legjitimitetit edhe para bashkësisë ndërkombëtare, por edhe legjitimitetit të brendshëm ndaj qytetarëve tanë.

Në çdo rast Lidhja Demokratike e Kosovës, domethënë në një farë forme, konteston edhe mandatin katërvjeçar të këtyre institucioneve duke kontestuar legjitimitetin e tyre?

Ne jemi shumë të bindur se këto institucione që dalin nga këto zgjedhje, nuk do të mund ta qeverisin vendin për katër vjet, sepse shumë vështirë është që të qeveriset vendi, në qoftë se është konstatuar se ka pasur mashtrime të mëdha, nëse midis procesit zgjedhor janë bërë premtime. Po ashtu janë prurë vendime për rritje të pagave dhe janë fituar votat nga sektori publik me anë të rritjes së pagave, që ka qenë një keqpërdorim shumë i madh nga kryeministri i shkarkuar i Republikës së Kosovës, dhe në qoftë se vlerësimet e ndërkombëtarëve po ashtu kanë qenë për mashtrime dhe abuzime etj, çfarë legjitimiteti do të kemi ne brenda dhe jashtë me këto zgjedhje?! Natyrisht, unë nuk e kontestoj tërësisht legjitimitetin e çdo kuvendari, sepse disa kanë ardhur me vota të vërteta, por këtu, me abuzime ka prirë Partia Demokratike e Kosovës, e cila po e shpall veten fituese. Unë konsideroj se këtu nuk ka ftues, as humbës, për arsye se vetë procesi i tillë ka qenë i parregullt, por po ashtu konsideroj se Kosova nuk mund të mbetet pa institucione. Për këtë arsye ne nuk do ta problematizojmë tani formimin e institucioneve, sepse jemi përgjegjës dhe jemi të ndërgjegjshëm për problemet që i ka Kosova tani. Konsiderojmë se legjitimiteti mund të fitohet vetëm me një proces të rregullt zgjedhor të mbikëqyrur mirë dhe me një proces, të cilit mund t’i paraprinte ndryshimi i Ligjit për zgjedhje.

Nëse mund të kalojmë edhe në një çështje tjetër... Në analiza të ndryshme, në shkrime të ndryshme flitet për mundësinë që një pjesë e deputetëve të LDK-së ta mbështesin qeverinë e re Thaçi. Keni ju indikacione se do të ketë zhvillime të tilla brenda LDK-së?

Jo, asnjë indikacion s’e kemi... nuk ka fare. Unë mendoj se kemi një grup parlamentar, i cili do të jetë krejtësisht unik, që ka interesa të përbashkëta dhe interesa unike. Unë i kam lexuar këto dhe jam habitur, sepse ato gjithmonë thirren në disa burime anonime. Njerëzit janë të zhgënjyer dhe disa më kanë thirrur e më kanë thënë a të reagojmë. Mirëpo, unë u kam thënë të mos reagojnë, sepse nuk është punë që ju të reagoni, për arsye se s’kemi pasur asnjë problem brenda, ndaj të cilit ne duhet të reagojmë. Edhe përvoja në këto zgjedhje tregoi se të gjithë ata që janë trafikuar dhe të gjithë ata që kanë kaluar nga një subjekt në tjetrin, i kanë humbur votat dhe do të ishte gabim i madh edhe për PDK-në dhe për çdo subjekt tjetër që të mundohet të krijojë qëndrueshmërinë e qeverisjes përmes trafikimit të deputetëve. Me trafikim nuk bëhet asgjë, me atë tregon që je i pafuqishëm që nuk i ke marrë votat nga qytetari drejtpërdrejt, por i ke blerë. Kjo është një formë e mercenarizmit që ne nuk duhet ta zhvillojmë në jetën politike, por nuk dyshoj në asnjë rast që asnjë deputet yni nuk do ta mbajë qëndrimin e LDK-së dhe nuk do t’i ndjekë politikat që ne i kemi zhvilluar.

Zoti Mustafa, qeverinë e ardhshme e presin edhe sfida të ndryshme në planin e jashtëm. Kohëve të fundit sikur janë shtuar raportet e ndryshme, shkrimet e ndryshme në gazeta ndërkombëtare në lidhje me krerët e institucioneve të Kosovës ku ata përmenden si pjesë e krimit të organizuar etj. Sa do të jetë kjo barrë në udhëheqjen e politikave të Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe a do ta mbështesni ju Qeverinë e Kosovës në bisedimet e ardhshme me Serbinë, me këtë barrë që e ka mbi vete?

Është një situatë shumë e rëndë për Kosovën. Janë përballur tani me dy probleme shumë të mëdha: problemi i shkeljeve të rënda që janë bërë gjatë procesit të votimit dhe gjatë zhvillimit të një procesi demokratik që është procesi themelor demokratik në vend, si dhe raporti i Dik Martit dhe raportet tjera që po jepen për udhëheqjen e Kosovës, për individë të caktuar, që krejtësisht i bien në një pozitë të pabarabartë, në një pozitë inferiore njerëzit tanë, nesër edhe në bisedime, por edhe në kontakte me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar. Natyrisht, ne duhet të jemi përgjegjës ndaj situatës, në të cilën është vendi, dhe LDK-ja do të mundohet që t’i ndihmojë këto procese që ta tejkalojmë këtë situatë. Por, situata nuk kalohet vetëm me vullnetin e LDK-së. Në këtë rast duhet të jetë vullneti i të gjitha subjekteve politike që ne t’ia kthejmë legjitimitetin vendit, që ne të krijojmë hapësirë që të zhvillohen të gjitha hetimet dhe që ato hetime të përfundojnë në mënyrë të ligjshme, si dhe Dik Marti të ofrojë argumente për atë që ka dhënë në raportin e tij dhe ta tejkalojmë këtë situatë.

Dhe, përfundimisht, a mund të hyjë Kosova në bisedime me Serbinë domethënë me një barrë të tillë?

Është vështirë të futet me një barrë të tillë, sepse ndoshta është caktuar koha që të hapen këto probleme, në mënyrë që të kontestohet legjitimitetit edhe i njerëzve edhe i Kosovës në këtë. Unë mendoj që ne duhet të konsolidohemi njëherë brenda, sa i përket legjitimitetit të qeverisë së vendit dhe kur ne arrijmë një legjitimitet të qëndrueshëm, atëherë në bazë të atij legjitimiteti, do të futeshim në biseda me Serbinë. Natyrisht në biseda teknike, sepse ne si LDK nuk pranojmë fare të bisedohet për çështje statusore të Kosovës, për pozitën kushtetuese të Kosovës, ose për ndonjë qeverisje të saj, e cila nuk do të ishte në harmoni me Kushtetutën dhe me Pakon e Ahtisarit, të cilën ne e kemi miratuar dhe sanksionuar edhe nga zgjidhjet kushtetuese.

REL

KOMENTE