E mërkurë, 2 shkurt 2011, NOA- Në një intervistë për gazetën shqiptaro-amerikane “Iliyria”, në New York, shkrimtari Shqiptar Ismail kadare komenton situatën aktuale në vend.
“Është e njohur tashmë se një vend jo normal sundohet “mirë”, por qeveriset keq. Këtë të vërtetë e njohin sidomos sistemet totalitare, qysh nga diktaturat hidrike (ato që kanë përdorur mungesën e ujit si mjet sundimi), gjer në ditët tona. Vetëm në rende të tilla, që dalin nga rendi normal i gjërave mund të krijohen psikoza të sëmura, ato që lindin pastaj ankthet dhe terrorin, shenjat e pashmangshme të sundimit tiranik”, është shprehur ai.
Duke vijuar më tej Kadare ka thënë se, “Është pak të thuash se mbyllja e vitit që shkoi nuk ishte e mirë për shqiptarët. Dhe, si të mos mjaftonte kjo, në kundërshtim të plotë me urimin “na qoftë i mbarë ky vit”, fillimi i vitit 2011 ishte edhe më i keq.
Intervista e tij vijon : “Në mesazhet e panumërta që vijnë këto ditë nga Tirana, për t`u shpërndarë anekënd në diasporën shqiptare, rrallë herë mungojnë shenja të tilla. Të gjithë popujt e ish-Lindjes janë tepër të ndjeshëm ndaj tyre. E në këtë kah do të ishte e kuptueshme që shqiptarët, ata që tiraninë e patën më të egrën e më të zgjaturën, do të ishin dyfish më të ndjeshëm. Në ngjarjet e janarit, midis psikozës dhe veprimeve shpesh kaotike, ata do të kapnin spikamën e fantazmës së totalitarizmit, rendit të përmbysur 20 vjet më parë.
Ishte, me sa dukej, ky shkaku kryesor që, në këtë janar të trishtë, trazimi ishte aq i thellë e aq dëshpërues. Këto rrjedha njerëzore, për të cilat është lehtë të thuhet, të mos dalin më, të mos shfaqen, të mos na shqetësojnë, nuk mund të anashkalohen. Në mos u shfaqeshin në rrugë, ato do të jenë në thellësi, çka është edhe më shqetësuese. Në qoftë se ato nuk ngjiten dot gjer tek institucionet, ku, sipas dokeve të demokracisë europiane do të duhej të çonin normalisht zërin e tyre, institucionet duhet të zbresin tek ata, për të kuptuar ku ka ngecur makina e demokracisë, përse mesazhet nuk kalojnë, shkurt, përse sistemi është bllokuar.
Më 21 janar, gjatë një demonstrate, për fat të keq të dhunshme, u vranë me armë tre njerëz të paarmatosur, pra të pafajshëm, qytetarë të shtetit demokratik shqiptar, e njëkohësisht tre qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Europian. Kjo e fundit nuk theksohet as për të mitizuar e as për të sublimuar këtë Bashkim, por për t`u kujtuar të gjithëve se ne, pa hyrë ende në këtë shtëpi të përbashkët, kemi cënuar programin e saj, atë program që me sinqeritet dhe përkushtim e kemi shpallur si programin tonë”.
Më tej ai thotë se, “Shqipëria duhet të përgatitet për t`i thënë ndal një përçudnimi të tillë. Duhet pranuar se kjo s`është as e thjeshtë e as e lehtë. Kërkon vullnet pa dyshim, po në radhë të parë kërkon bindjen e thellë që demokracia shqiptare, ajo që në të vërtetë është e pandarë sot nga Shqipëria, duhet marrë seriozisht”.
Lidhur me ndërhyrjet e ndërkombëtarëve ai komenton :“Marrëdhëniet tona me ndërkombëtarët dëshmojnë paqartësinë, mungesën e parimeve, shkurt, ankthin tonë të pafund. Ne jemi në një aleance europiane. Një aleancë nuk është një idil me baresha e me fyej. Në botën tonë të ashpër një aleancë është, para së gjithash, një shtab në gjendje alarmi , ku midis aleatëve mund të ketë edhe acarime, edhe moskuptim, por gjithmonë për parime të mëdha. Ne e kemi pranuar këtë gjendje. Kjo aleancë është shansi i vetëm i një populli tepër të vetmuar. Një ngecje te pragu i Europës, ose më keq, një përplasje portash në fytyrë, ka gjasë të shënonte fundin e rrugëtimit tonë në histori.
Në kohën tonë janë tepër të rrallë popuj që mund të kenë histori të veçuar nga të tjerët. Ka kohë që fatmirësisht historia jonë nuk është më e tillë” shprehet shkrimtari.
a.y/NOA