English

Meta në Lushnje: Në 8 maj, LSI rezultat spektakolar

Lushnje, 2 shkurt 2011, NOA- Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta ditën e sotme ka nisur turin e tij para elektoral nga qyteti i Lushnjes.

Nën shoqërinë e Kryetarit të Bashkisë Albert Sanxhaku dhe të Kryetarit të LSI-së në Lushnjë Krenar Turku, Meta është ndalur fillimisht në komunën Tërbuf ku është pritur me mjaft entuziaste.

Më pas Meta ka zhvilluar një takim po kaq entuziast me qytetarët e Lushnjës në Kinoteatrin “Vaçe Zela”.

Gjatë fjalës së tij para elektoratit Lushnjar, Meta tha se, “LSI në 8 maj do të arrij rezultat spektakolar dhe se në këtë datë do të konfirmohet vendimi i saj për koalicionin me PD-në”.

Sipas tij zgjedhjet e majit do të rikonfirmojnë jo vetëm LSI-në si forcë e fuqishme politike në vend por edhe do të vlerësohet me votë vendimi historik që LSI-ja mori për të bërë koalicion me PD për interesa kombëtare.

Meta edhe në këtë takim nuk ngurroi të përmendë edhe demonstratën e 21 janarit duke thënë se, “Ngjarjet e 21 janarit nuk kanë qenë të papritura as për ne as për shumicën e qytetarëve shqiptarë dhe as për opinionin ndërkombëtar. Lushnja e ka pësuar nga dhuna dhe nga konflikti në të kaluarën sikurse e ka pësuar e gjithë Shqipëria”.

Sipas kreut të LSI-së, Ideatorët e konfrontimit nuk pengojnë dot axhendën e integrimit të Shqipërisë dhe se Shqiptarët kanë perspektiv evropiane.

Ai e cilësoi si fatkeqësi filozofinë e opozitës nëpërmjet bojkotit.

Ndër të tjera Meta shtoi se, “Opozita ka vetëm filozofinë e dhunës dhe ata që frymëzuan dhunën më 21 janar kundër rendit kushtetues janë ata që në momente të vështira që po kalonte bota dhe Europa të krizës ekonomike, kërkonin të përhapnin panik për falimentimin e bankave, për depozitat e dhjetëra mijëra shqiptarëve, për sakrificat e tyre të panumërta për të siguruar një mirëqenien modeste. Shqipëria e kaloi situatën e vështirë ekonomike dhe financiare, vendi ka hyrë në një periudhë që do të njohë një rritje ekonomike më të madhe dhe më të qëndrueshme”.

Në vijim të këtij mendimi kreu i LSI-së u tha qytetarëve Lushnjar se, “Mund t’ju them se vetëm gjatë vitit të kaluar 1.6 miliard lekë kanë qenë subvencionet në bujqësi në qarkun e Fierit, gjysma e të cilëve kanë qenë për Lushnjen. Ndryshimet e mëdha që kanë ndodhur në infrastrukturë, në mënyrë të veçantë autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, ka bërë që vetëm gjatë vitit të kaluar të ekspertohen prodhime bujqësore katër herë më shumë sesa në vitin 2009 dhe pikërisht 22 mijë tonë”.

Ai u garantoi qytetarëve Lushnjarë se do të vijnë në rritje politikat sociale ndaj qytetarëve shqiptar.

a.y/NOA

KOMENTE