Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA Update – Ndërkohë që 2 shkurti është dita kur Komisioni Hetimor Parlamentar për ngjarjet e 21 janarit ka thirrur për të dëshmuar Presidentin e Republikës Bamir Topi, Këshilltari Ligjor i Presidentit, Spiro Peçi deklaroi sot se kërkesa e Komisionit hetimor është e paligjshme pasi shkel disa ligje të vendit. Porse ai theksoi se Presidenti është i gatshëm të dëshmojë, por vetëm në përputhje me ligjin që Kreut të Shtetit ia lejon dëshminë në selinë e tij në Presidencë.
Këshilltari Ligjor i Presidentit Topi theksoi sakaq se “Presidenti i Republikës në respekt të institucioneve, siç është Kuvendi apo dhe komisionet e tij hetimore, shpreh gatishmërinë duke iu përgjigjur pozitivisht kësaj kërkese, por vetëm në përputhje me ligjet e këtij vendi”.
Zoti Peçi sqaroi se “Komisioni Hetimor në kërkesën e vet, që Presidenti i Republikës të paraqitet para tyre për të dëshmuar, është në kapërcim të kompetencave duke shkelur ligjin. Dihet se komisionet hetimore të Kuvendit e ushtrojnë veprimtarinë e tyre sidomos për metodikën e hetimit, në përputhje me dispozitat e Kodit për Procedurën Penale (pika 2 e nenit 4 të ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit). Referuar këtij detyrimi ligjor, po ju lexoj nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale që titullohet “Marrja e dëshmisë së Presidentit të Republikës dhe të nëpunësve të shtetit”, tha këshilltari i Presidentit.
Në këtë kontekst ai informoi se “Dëshmia e Presidentit të Republikës merret në selinë ku ai ushtron funksionet e Kryetarit të Shtetit dhe se kur duhet të merret dëshmia e Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të Këshillit të Ministrave, Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese ose dhe të Gjykatës së Lartë, këta mund të kërkojnë të pyeten në selinë ku ushtrojnë detyrën e tyre”.
Peçi argumentoi se “përmbajtja e këtij neni thekson se Presidenti nuk mund të thirret për t’u paraqitur ashtu siç kërkon Komisioni Hetimor, por jo vetëm kaq. Atij në dallim nga funksionarët e lartë të shtetit, nuk i lejohet të paraqitet para Komisionit, Gjykatës apo dhe Prokurorisë”.
Këtu zoti Peçi sqaroi se “Në këto kushte duke shprehur gatishmërinë për të dëshmuar, në respekt të ligjit, Presidenti i Republikës do të përcaktojë mënyrën dhe kohën e realizimit për t’iu përgjigjur pyetjeve të Komisionit Hetimor”.
Por këshilltari Ligjor i Presidentit bëri një saktësim edhe lidhur me informacionet që Presidentit i ishin kërkuar të dërgonte brenda datës 2 shkurt për të gjithë veprimtarinë e tij gjatë dhe pas datës 21 janar 2011.
Këshilltari Peçi në emër të Presidentit deklaroi se “Presidenti i Republikës ushtron kompetencat e tij në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë e në mbështetje të nenit 92, gërmës “h” të Kushtetutës, Presidenti është autoriteti që kërkon të dhëna me shkrim, pra informacione nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë bëjnë me veprimtarinë e tyre. Pra, Presidenti ka të drejtën e informimit, por jo detyrimin për të informuar”, theksoi Peçi.
Sipas tij “kërkesa në fjalë e Komisionit Hetimor, pa përmendur objektin e saj që në vetvete përmban elementë, që pengojnë kthimin e një përgjigjeje, është e pakuptimtë për aq kohë sa po ky Komision me shkresën e datës 31 janar 2011, thërret Presidentin e Republikës për t’u paraqitur në Komision në orën 17.30 të datës 3 shkurt, me qëllim realizimin e një seance pyetjesh lidhur me objektin e hetimit të këtij Komisioni Hetimor”. Këshilltari i Presidentit tha se “veç problemeve të trajtuara më lart, kërkesa e Komisionit Hetimor drejtuar operatorëve të sipërmarrësve të rrjeteve dhe shërbimeve të komunikimeve elektronike publike është është në shkelje të hapur të ligjeve të këtij vendi”.
Peçi nënvizoi se janë një sërë ligjesh specifike, përtej atyre të shkeljes së privatësisë dhe të drejtave të Njeriut që e bëjnë të paligjshme kërkesën e Komisionit Hetimor.
“Ky Komision, vërtetë ushtron veprimtarinë përsa i përket metodikës së hetimit, si marrja e vendimeve të ndërmjetme për pyetjen e dëshmitarëve, thirrjen e ekspertëve dhe marrjen e dokumenteve, por në asnjë rast nuk mund të ndërmarrë atributet e prokurorit dhe gjykatës, që me ligjet e veçanta i atribuohen këtyre organeve”, tha Peçi.
Ai theksoi se “pikërisht këto skedarë apo tabulate siç quhen në gjuhën e përditshme, ligjet i vendosin në një trajtim të posaçëm. Për të argumentuar këtë, po u referohem dispozitave ligjore vetëm për dy ligjeve të veçanta. Konkretisht, në nenin 101, paragrafi 2 dhe 3 të ligjit nr. 9918, datë 19.05.2008 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, thuhet se: Skedarët duhet të përmbajnë të dhënat, që mundësojnë, pra gjithmonë tabulatet: a) identifikimin e pajtimtarëve, duke siguruar marrjen dhe regjistrimin e identitetit të plotë të tyre; b) identifikimin e pajisjeve fundore, të përdorura gjatë komunikimeve; c) përcaktimin e datës, të orës, kohëzgjatjes së komunikimit dhe numrit të thirrur”, sqaroi Këshilltari Ligjor i Presidentit.
Gjithashtu shtoi zoti Peçi, “Këta skedarë duhet t’u vihen në dispozicion, edhe në formë elektronike, autoriteteve që i përcakton Kodi i Procedurës Penale, në bazë të kërkesës së tyre”.
Pra siç shihet, ky ligj detyron operatorin që këto skedarë t’i vihen në dispozicion vetëm autoritetit që përcakton Kodi i Procedurës Penale, tha këshilltari i Presidentit.
“Regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës”, pra elementë që përmend ligji që sapo citova, ajo çka njihet si tabulate, ligji autorizon vetëm prokurorin për marrjen e tyre, duke nënvizuar kështu se kërkesa të kësaj natyre, mund të paraqesë vetëm prokurori.
Zoti Peçi, pavarësisht gatishmërisë që Presidenca apo Presidenti shpreh për të dëshmuar në Komisionin Hetimor, në opinionin tuaj, a është i ligjshëm ky Komision Hetimor?
Këshilltari Ligjor, Spiro Peçi: Po, faleminderit! Dua të bëjmë një marrëveshje për përgjigjet e pyetjeve. Ajo çka do të shpjegoj për pyetjet që keni është një mendim i imi personal si jurist. Nuk ka të bëjë me funksionin si Këshilltar i Presidentit të Republikës. Ato çka ka kisha, në mënyrë institucionale, i parashtrova pak më parë. Mesa kuptova, thelbi i pyetjes suaj është, nëse është i ligjshëm Komisioni Hetimor. Unë do ta ndaja në dy momente. Përsa i përket anës formale juridike, kemi të bëjmë me një Komision, i cili është ngritur në përputhje me ligjin, pavarësisht se në këtë Komision nuk ka marrë pjesë opozita. Ky është një qëndrim politik që nuk ka të bëjë me ligjin. Për mendimin tim, përsa i përket pjesës së dytë që do të thoja, nëqoftëse ky Komision Hetimor do ta kufizonte objektin e veprimtarisë së tij brenda atyre caqeve që lejon ligji, do të kishim një komision të ngritur në përputhje me, në ushtrim të kompetencave që u jep ligji dhe ligjevet e tjera. Nga vetë objekti që ka caktuar ky Komision, ku thotë: “Për hetimin, zbulimin, financimin, madje edhe ndëshkimin e veprave të dhunës të ushtruara për përmbysjen e rendit kushtetues”. Në vetvete kemi të bëjmë me një akuzë të ngritur, pa filluar akoma asnjë lloj hetimi. Nuk është Komisioni Hetimor që ngre akuza, nuk është Komisioni Hetimor që heton akuza, aq më tepër, nuk është Komisioni Hetimor që ndëshkon ata që akuzohen. Kushtetuta dhe në çdo shtet ku funksionon shteti i së drejtës dhe demokracia, pushtetet janë të ndara, secili ka kompetencat e veta. Këto janë kompetenca, të paktën siç shprehen në objektin e Komisionit Hetimor, janë kompetenca që i ushtrohen vetëm Prokuroria dhe në finale, Gjykata e vendit. Gazetari: Gjithë këto akuza të rënda drejtuara nga Kryeministri, drejtuar Presidentit, a ndikojnë në marrëdhëniet Presidencë - Kryeministri apo në marrëdhëniet ndër-institucionale? Këshilltari Ligjor, Spiro Peçi: Ju të gjithë jeni vënë në dijeni që Presidenti i Republikës dhe gjatë gjithë veprimtarisë së tij, çdo mesazh, çdo apel, çdo bashkëbisedim, e ndërton vetëm në rrugë institucionale, i mbështetur në Kushtetutë dhe në ligjet që kanë dalë në përputhje me Kushtetutën. Presidenti i Republikës nuk merret me akuza dhe kundër-akuza.
mit/NOA