Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që Ministri i Brendshëm Lulzim Basha akuzoi mbrëmë përballë komisionit hetimor parlamentar për 21 janarin Policinë Bashkiake jo vetëm të Tiranës, por edhe bashkive të tjera të drejtuara nga opozita se është infiltruar në demonstratën e 21 janarit, duke deklaruar se nga e enjtja asaj i është revokuar edhe e drejta e mbajtjes së armës nga Policia e Shtetit, ka reaguar sot edhe Policia Bashkiake e kryeqytetit, e cila ka refuzuar kërkesën për dorëzimin e armëve të zjarrit që mbahen nga policët bashkiakë. Kryeinspektori i kësaj policie Zyhdi Dajti theksoi se pajisja me armë e Policisë Bashkiake dhe heqja e të drejtës së mbajtjes së saj nuk është në tagrin e Policisë së Shtetit, duke argumentuar se përbën një shkelje të rëndë të ligjit dhe me pasoja.
Në një letër të drejtuar Drejtorit të Policisë së Tiranës Saimir Muça, kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës bën me dije se “Pajisja me armë e Policisë Bashkiake nuk bëhet në të njëjtën mënyrë siç pajisen personat fizikë dhe juridikë nga komisariatet e policisë në vend”.
Ai sqaroi se “Nuk është atribut i Policisë së Shtetit heqja e të drejtës dhe pajisja me armë zjarri e punonjësve të Policisë Bashkiake, ndaj argumentoi ai, “nuk është në tagrin tuaj heqja e armëve të zjarrit të policisë bashkiake dhe përbën shkelje të ligjit”.
Sa i përket akuzave për përfshirjen e punonjësve të Policisë Bashkiake në demonstratën e 21 janarit me armatimin e tyre personal, kryeinspektori Dajti i bëri apel policisë që emrat e personave të identifikuar t’ia paraqesë për hetime Prokurorisë.
Megjithatë, kryeinspektori i Policisë Bashkiake të Tiranës, Zyhdi Dajti sqaroi se sipas dijenisë së tij nuk rezulton efektivët e planizuar në shërbim sipas ligjit të kenë marrë pjesë në demonstratën e 21 janarit.
Sipas tij, çdonjëri prej punonjësve të Policisë Bashkiake ka qenë në përmbushje të detyrave siç e parashikon ligji për organizimin e funksionimin e Policisë Bashkiake apo të komunës.
mit/NOA