English

Pukë, bie makina në humnerë, dy të vdekur, dy të plagosur rëndë

Pukë, 2 shkurt 2011, NOA – Dy shtetas kanë gjetur vdekjen dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë pas një aksidenti të rëndë në Pukë, ku një makinë ka dalë nga rruga duke rënë tëposhtë në një greminë 200 metra të thellë. Policia bëri të ditur se aksidenti i rëndë ndodhi rreth orës 13.30 në fshatin Çelëz të rrethit Pukë.

Sipas policisë, një automjet i tipit fuoristradë Land Rover, me targa PU 1273 A, e drejtuar nga Mark Pashk Leka ra në humnerë pas humbjes së kontrollit nga shoferi i saj, i cili pasi ka dalë nga rruga ka rënë në një humnerë rreth 200 m të thellë.

Si pasojë e aksidentit gjetën vdekjen e menjëhershme Mark Pashk Leka, 42 vjeç, drejtuesi i mjetit dhe Afrim Xheka, 37 vjeç, ndërsa janë plagosur rëndë shtetasit Preç T., 50 vjeç dhe Ndue Sh., 42 vjeç.

Policia bën të ditur se me të marrë informacionin efektivët e policisë rrugore të Qarkut Shkodër kanë shkuar menjëherë në vendngjarje duke bërë të mundur nxjerrjen e të dëmtuarve nga ky aksident.

Dy shtetasit e dëmtuar rëndë në këtë aksident rrugor po transportohen me një helikopter të Ministrisë së Shëndetësisë në drejtim të Qendrave Spitalore të Tiranës.

Aktualisht në vendngjarje po kryhen veprimet nga grupi hetimor i Policisë rrugore, i cili po punon për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti.

mit/NOA

KOMENTE