English

Rama: Duam kompromis, por demonstratat nuk ndalen

Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA Update – Lideri i opozitës Edi Rama ka artikuluar edhe njëherë gatishmërinë e opozitës për dialog e kompromis, por pa ndalur rezistencën paqësore.

Shefi i selisë rozë në një konferencë për shtyp deklaroi rishtas se protestat paqësore të opozitës do të vazhdojnë nëse regjimi nuk zmbrapset nga rruga antikushtetuese e antidemokratike ku është futur.

Duke i shprehur respektin dhe mirënjohjen Ministrit të Jashtëm slloven, i cili ndodhet në Tiranë dhe partnerëve ndërkombëtarë për shqetësimin lidhur dhe vullnetin për zgjidhjen e situatës politike në vend, Kryetari i Partisë Socialiste nëvizoi sikundër edhe një ditë më parë se “jemi të gatshëm për dialog e kompromis, por nuk do të ndalemi në rrugën e rezistencës paqësore nëqoftëse regjimi i kusarisë nuk zmbrapset nga rruga antikushtetuese e antidemokratike ku është futur”.

Sipas kreut socialist situata aktuale në të cilin e kanë futur veprimet antikushtetuese të pushtetit e bën krejtësisht absurde përmendjen e zgjedhjeve të 8 majit si mundësi për të kapërcyer krizën të jashtëzakonshme.

“Refuzimi për të dëgjuar opozitën, përshkallëzimi i barbarisë antikushtetuese e antidemokratike me sulmet ndaj Presidentit, Prokurores së Përgjithshme, Drejtorit të Shërbimit Informativ, gazetarëve kundërshtarëve me regjimin dhe opozitës po e po, mosdorëzimi i gjashtë të kërkuarve nga drejtësia për vrasjen e 3 njerëzve të pafajshëm në një masakër shtetërore, nxjerrja e Policisë së Shtetit nga korniza e ligjit, e bëjnë krejtësisht absurde përmendjen e zgjedhjeve të 8 majit si mundësi për të kapërcyer këtë krizë të jashtëzakonshme”, deklaroi kryesocialisti Rama.

Ai theksoi sakaq se “kjo krizë nuk është shprehja e një konflikti të qeverisë me opozitën, por shpërthimi i qelbit të akumuluar në rrugën e korrupsionit e të korruptimit të qeverisjes, drejtësisë, medias, nga ana e një regjimi kusarie që aktualisht po shpalos tërë egërsinë dhe banalitetin e vet. Jo kundër opozitës, po kundër gjithçkaje e gjithkujt që ka mbetur jashtë kontrollit të parasë së pushtetit apo të frikës prej pushtetit, institucion kushtetues apo individ qoftë”.

Në këtë kontekst, Rama sqaroi se “kriza e gjithanshme në vend, që ka sjellë varfërimin e familjeve që s’jetojnë me kusari dhe rrënimin e fuqisë blerëse të shqiptarëve të zakonshëm në tregun e çmimeve të rritura përsëri, s’mund të kalojë as duke mbyllur sytë, as duke hequr dorë nga demonstratat, dhe as duke kënduar këngën e integrimit evropian”, ndërkohë që sikundër Rama tha, “Europa e parimeve, vlerave, standardeve demokratike, është përditë e më e zhytur në tymin e bombave të hedhura prej Saliut kundër shtetit të së drejtës e lirive të qytetarëve të këtij vendi”.

Shefi i opozitës i bëri rishtas thirrje popullit opozitar t’i bashkohet protestës së të premtes së 4 shkurtit, një protestë që do të zhvillohet në katër qytete të mëdha njëherësh, në Tiranë, Vlorë, Lëzhë dhe Korçë.

“Pasnesër, të premten 4 shkurt, Tirana, Vlora, Lezha e Korça do të demonstrojnë për të kërkuar rivendosjen e demokracisë me zgjedhje të lira e të ndershme dhe rikthimin e Policisë së Shtetit brenda ligjit përmes ekzekutimit të 6 urdhër-ndalimeve të Prokurorisë së Përgjithshme. Shqipëria kërkon paqe e qetësi, ne duam paqe e qetësi, por jo paqe në frikë e heshtje në një boshllëk antidemokratik ku regjimi i kusarisë po lufton kundër një puçi imagjinar me qëllimin që të likuidojë që të gjitha burimet që kontrollojnë qeverinë apo që kundërshtojnë qeverinë”, tha lideri i opozitës.

Zoti Rama theksoi se do të protestojnë paqësisht në emër të bashkëjetesës demokratike që garantohet me zgjedhje të lira e të ndershme dhe shtet ligjor, dhe si qetësi që rikthehet përmes drejtësisë për masakrën e 21 janarit.

mit/NOA

[media id=66 width=620 height=440]

KOMENTE