Prishtinë, 2 shkurt, NOA - Unioni i Gazetarëve të Kosovës, përmes një deklarate të posaçme për shtyp, ka paraqitur shqetësimin lidhur me atë që e ka quajtur “kërcënim të
lirisë së shprehjes që po u bëhet kohëve të fundit disa gazetarëve të mediave në Shqipëri”.
“Urdhri i komisionit parlamentar hetimor për kontrollimin e bisedave telefonike të gazetarëve Andi Bushati, Sokol Balla, Filip Çakulli dhe Mero Baze është shkelje e drejtpërdrejtë e lirisë së shprehjes dhe kërcënim i demokracisë në Shqipëri”, citon kjo deklaratë.
Duke shtuar se i bën thirrje që menjëherë ta tërheq këtë urdhër për kontrollin e bisedave të punonjësve të medieve, dhe njëkohësisht të mos i pengojë në realizimin e punës së tyre profesionale.
“Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK), po ashtu i bënë thirrje gjithë politikës shqiptare që të mos i vërë në thumb mediat për t’i arsyetuar problemet politike që ka krijuar vetë politika dhe mbështet qëndrimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, duke i shprehur
përkrahje të plotë në mbrojtje të lirisë së fjalës në Shqipëri”, citon deklarata në fjalë.
Në fund, UGK u bën thirrje kolegëve gazetarë në Republikën e Shqipërisë që të mos
bien preh e provokimeve të politikanëve, por të vazhdojnë me punën e tyre profesionale duke e mbrojtur me fanatizëm profesionin e shenjtë të gazetarisë.
n.e/NOA