Tiranë, 2 shkurt 2011, NOA – Ndërkohë që zgjedhjet vendore të 8 majit janë tre muaj larg e kur edhe për shkak të situatës së tensionuar politike mes mazhorancës dhe opozitës ende nuk janë bërë publik kandidatët për Bashkitë e Komunat në tërë vendin, Ambasadori i Prezencës së OSBE-së, Eugen Wollfarth, i ka bërë rishtas thirrje partive politike të zbatojnë plotësisht Kodin Zgjedhor, duke i paraqitur Komisionit Qendror të Zgjedhjeve propozimet e tyre për anëtarë të komisioneve zgjedhore. Këtë deklaratë ambasadori Wollfarth e bëri në referencë të faktit se asnjëra parti politike nuk ka dorëzuar deri më tani në KQZ listën e plotë të kandidatëve.
Wollfarth theksoi në deklaratën e tij se “Shqiptarët dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit presin që zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të zhvillohen më 8 maj, ashtu siç janë dekretuar nga Presidenti i Republikës. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në fazën e përgatitjes së këtyre zgjedhjeve. Puna e tij do të bëhej më e lehtë, nëse të gjitha partitë politike veprojnë menjëherë dhe respektojnë ligjin, duke dorëzuar emrat e të gjithë komisionerëve zgjedhorë brenda afatit”, nënvizoi ambasadori i OSBE-së në Tiranë.
Ai apeloi se “Presim që të gjitha afatet e tjera ligjore të respektohen plotësisht, ashtu sikurse presim që të gjithë anëtarët e KQZ-së të marrin pjesë në të gjitha mbledhjet”. Sipas Kodit Zgjedhor, afati i fundit për paraqitjen e emrave të komisionerëve të komisioneve të nivelit të dytë ishte 24 janari.
Ndërsa, afati që KQZ-ja të konstituojë të gjitha komisionet është 7 shkurti.
Ndërkohë, kryesocialisti Edi Rama theksoi sot se në këtë situatë politike është gati gati e tëpërt të përmenden zgjidhjet vendore, për shkak se më parë duhet të nisë dialogu politik dhe gjetja e kompromisit si dhe të zbardhen vrasjet e 21 janarit.
mit/NOA