Nga Norbert Mappes-Niediek*
“Në Shqipëri mbizotëron klima armiqësore. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me diferencat politike. Aty ku mungojnë argumentet e kundërta dominon konkurrenca tërësisht boshe.
Cili prej grindavecëve ka të drejtë në klimën e ndezur në Shqipëri? Përgjigja është tronditëse: asnjëri. Problemi është mënyra se si të dy i kundërvihen njëri-tjetrit duke e tepruar me fjalë e me vepra. Eshtë e vërtetë që rrethanat në Shqipëri vazhdimisht japin shkas për protesta plot indinjatë. Por indinjata mund të nxitet edhe nga shkaqe boshe, e kjo bën që gjithçka të shkojë keq e mos më keq.
Sali Berisha i ka tani duart e lyera me gjak, tha drejtuesi i socialistëve Edi Rama më 22 janar pas të shtënave vdekjeprurëse ndaj tre demonstruesve. Ndërkohë që nuk është aspak e qartë, nëse demonstruesit atë të premte vërtet janë qëlluar me urdhër, apo nëse policët i përfshiu paniku duke e ndjerë veten në rrezik. Nga ana tjetër Berisha e ka akuzuar kundërshtarin e tij Rama, se ai i ka orkestruar, e madje i ka udhëzuar ekseset e dhunës së demonstruesve. As për këtë nuk ka asnjë pikë reference. Në një demokraci funksionuese ka prioritet një hetim neutral, përpara se të bëhen të tilla akuza të pashoqe. Ndërsa në Shqipëri kjo nuk ndodh. Kush dhe çfarë paraqitet neutral, është për të secilën palë vetëm armiku nën një maskë të re. Me akuzën e tij ndaj prokurores së përgjithshme të emëruar prej tij, se ajo “është pjesë e një puçi për grushtshteti“, kryeministri jep vet shembullin e kësaj mënyre të të menduarit.
Ashpërsia e grindjes nuk është një problem personal i Ramës dhe i Berishës, madje ajo nuk është as specifika e skenës politike. Kundërshtitë e ashpra mes mikut dhe armikut, imazhi i besës dhe i tradhëtisë kanë rrënjë shumë më të thella në shoqërinë shqiptare. Në Shqipëri nuk ekziston sfera publike e shkëmbimit korrekt të mendimeve, gjë që në vende të tjera ka kultivuar komunikimin. Deri vonë në shekullin e kaluar shumica e shqiptarëve jetonin në lidhje të forta familjare, të cilat nuk mbanin kontakt me njëra-tjetrën. Dihet shumë pak për tjetrin dhe ka një predispozitë që për tjetrin të përfytyrohet më e keqja. Akceptanca për të mirën e përgjithshme dhe për shtetin si administrues i besuar as që ekziston fare.
Diktatura komuniste i ka shkatërruar familjet e mëdha, por pa e zëvendësuar këtë me shoqërinë e lirë. Rrethanat e sotme janë edhe pasojë e kësaj. Por gabimisht klima armiqësore në vend është kuptuar si pasojë e ideologjisë. Partitë nuk dallojnë nga njëra-tjetra mbi bazën e programeve. Kjo tingëllon paradoksale, por është logjike: Aty ku ekzistojnë argumentet e kundërta, mund të gjenden kompromise. Aty ku mungojnë këto argumenta, mbizotëron kokurrenca tërësisht boshe.
Proces i ngadalshëm të mësuari
Madje as e kaluara nuk i ndan antagonsitët: Në vitin e trazuar të kthesës 1991 “demokratët” janë ndoshta disa javë më përpara se “socialistët” që pasuan, kur mori fund komunizmi. Për Sali Berishën dhe Edi Ramën madje as kjo nuk qëndron: I riu Rama u bë disident, teksa organizoi si i pari në Shqipëri një ekspozitë të artit ekspresionist. “Antikomunisti” i indinjuar Berisha në të njëjtën kohë vazhdonte të ishte sekretar partie në Universitetin e Tiranës.
Sali Berisha, i cili vjen nga veriu i prapambetur, është vetë rob i traditës së të menduarit bardh e zi dhe në situata kritike ai rregullisht e humbet toruan. Edi Rama nga ana tjetër ka mbi kurriz klikat hakmarrëse brenda partisë së tij: Nëse nuk është ai që e drejton vetë luftën e ashpër, janë të tjerët që e bëjnë këtë. Që të dyja këto çojnë në të njëjtin përfundim.
Në vitet qysh pas rënies së komunizmit ka shumë përmirësime. Toni është bërë më paqësor dhe tek brezi i ri po forcohet vetëdija, se jo gjithmonë shteti duhet të jetë thjeshtë instrumenti i njërës apo i tjetrës bandë. Por procesi i të mësuarit është i ngadalshëm dhe me prapaktheu.
Përtej kufirit shqiptar të tilla kthime prapa vazhdimisht keqkuptohen. Kur në vitin 1997 vendi u zhyt në anarki të dhunshme, evropianët mendonin, se u duhej të mbanin anën e njërës apo tjetrës palë. Në fund misionet ndërkombëtare të OSBE-së dhe të Këshillit të Evropës ishin po aq armiqësorë ndaj njëri-tjetrit sa edhe grindavecët lokalë. Bashkësia ndërkombëtare ka mësuar nga gabimet e së shkuarës. Amerikanët dhe evropianët javën e kaluar reguan shumë shpejt dhe me vendosmëri u përpoqën t'i drejtonin emocionet në shinat kushtetuese. Ambasadori i SHBA-së ia doli që ta bindë Berishën të anulojë mobilizimin e simpatizantëve të tij. Evropianët ia dolën, që t'i kthejnë arësyen opozitës. Por për fat të keq as në Perëndim arësyeja nuk është përvetësuar prej të gjitha palëve. “Qytetarët” artikuluan “shqetësimet e tyre”, kështu i keqinterpretoi Internacionalja Socialiste trazirat e së premtes dhe i siguroi “solidaritet të plotë” partisë shqiptare si motër. Për Partinë konservatore Popullore Evropiane eurodeputeti Elmar Brok mendoi se duhet dënuar në mënyrë të njëanshme “roli destruktiv” i udhëheqësit të socialistëve Rama. Shqipëria duhet të mësojë nga Perëndimi dhe jo anasjelltas.
* Analizë e botuar në numrin e së martës të gazetës gjermane “Frankfurter Rundschau“