Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA – Pak përpara se të niste takimin me të dërguarin e posaçëm të BE-së Miroslav Lajçak, shefi i opozitës Edi Rama u takua sot me aletatët e Opozitës së Bashkuar, të cilët kanë njëzëri kanë kërkuar mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Takimi i Opozitës së bashkuar u mbajt për të bashkërenduar aksionin opozitar për katër demonstrimet që do të zhvillohen nesër në katër qytete të vendit njëherësh në orën 14.00, në Tiranë, Vlorë, Korçë dhe Lezhë.
Pas takimit, vetë lideri i opozitës nuk është prononcuar për mediat, duke ua lënë si gjithnjë fjalën aletatëve të tij.
Kryetari i PSD-së, Skënder Gjinushi në një prononcim për mediat tha se “Tashmë kriza në Shqipëri ka marrë gjithë dimensionet e saj. Kemi një qeveri të vetërrethuar nga të gjitha institucionet të cilat i ka deklaruar puçiste. Për të çuar deri në fund atë që kërkojnë shumica dërrmuese e shqiptarëve dhe që është në interes të gjithë shqiptarëve do vazhdojmë protestat popullore prapë, për të imponuar një zgjidhje politike, që është e vetmja mënyrë për të nxjerrë vendin nga kriza. Fjalën e fundit në demokraci e thotë populli”.
Sipas tij populli shprehet me zgjedhje të lira dhe të ndershme duke argumentuar se është pikërisht mungesa e tyre baza e kësaj krize, të cilës i është shtuar edhe makutëria e qeverisë dhe deri krimi shtetëror i 21 janarit.
Gjinushi theksoi se “Nesër ka një shprehje tjetër tepër masive, në katër qytete kryesore të revoltës dhe protestës popullore, për të kulmuar dhe më të mëdha në të ardhmen, për të kulmuar me zgjidhjen e krizës përfundimisht, nëpërmjet votës së lirë”.
mit/NOA