Tiranë, 3 janar, NOA – Komisioni hetimor për ngjarjet e datës 21 janar është i gatshëm që informacionet e kreut të shtetit për demonstratën e dhunshme t’i marrë edhe në zyrën e tij në Presidencë. Në një deklaratë për mediat, kryetari i komisionit Eduard Halimi, u shpreh se në qëndrimin e këtij institucioni për thirrjen e Presidentit Topi nuk ka asnjë shkelje ligjore.
“Komisioni Hetimor aktualisht është në fazën e mbledhjes së të dhënave, informacioneve zyrtare dhe jo zyrtare dhe dokumenteve. Këto të dhëna merren edhe nga burime të drejtpërdrejta siç parashikohet në nenin 15, pika 2, ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, nëpërmjet vizitave faktmbledhëse. Për këto arsye, Komisioni është i gatshëm, në përmbushje të këtyre detyrimeve të mësipërme ligjore, të zhvillojë këtë vizitë edhe pranë institucionit të Presidentit”, tha sot Halimi.
Nga ana tjetër ai ka sqaruar dhe qëndimin e deputete të mazhorancës përballë argumentimeve ligjore që bëri një ditë më parë këshilltari i kreut të shtetit, Spiro Peçi.
Halimi tha se komisioni i ka çuar ditën e sotme një shkresë tjetër Institucionit të Presidentit, në përgjigje të deklaratës së djeshme për median të këshilltarit të Presidentit, Spiro Peçi.
“Komisioni Hetimor Parlamentar i bën me dije zotit Peçi, se Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e tij, Prof. Dr. Bamir Topi nuk është thirrur për të dëshmuar, siç parashikohet në nenin 16 të ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit” dhe nenin 162 të Kodit të Procedurës Penale”, tha Halimi.
Ai shtoi se kreu i shtetit është thirrur si titullar i institucionit për të përcjellë të dhëna në emër të institucionit që drejton.
“Presidenti i Republikës, është thirrur në këtë Komision Hetimor Parlamentar për të përcjellë të dhëna, informacione dhe dokumente zyrtare si titullari i vetëm i institucionit te Presidencës, siç parashikohet në nenin 14, shkronja “b” të ligjit nr. 8891, datë 2.05.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore te Kuvendit”. Ne shpresojmë se Presidenti do t’i përgjigjet këtij detyrimi ligjor”, tha sot Halimi.
a.k/NOA