Sarajevë, 3 shkurt 2011, NOA – Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto gjatë vizitës së tij zyrtare në Bosnjë-Hercegovinë theksoi se bashkëpunimi rajonal dhe ai në kuadër të BE-së dhe NATO-s janë çështje mjaft të rëndësishme për rajonin e Ballkanit. Gjatë takimit në Sarajevë me anëtarin e Presidencës se Bosnjë-Hercegovinës Bakir Izetbegoviç u diskutuan çështje të marrëdhënieve dypalëshe, të bashkëpunimit dhe zhvillimeve në rajon.
Bashkëbiseduesit vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve, si dhe konfirmuan vullnetin politik të palëve për forcimin e tyre dhe shtimin e kontakteve.
Gjithashtu ata ranë dakort për intensifikimin e bashkёpunimit nё fushёn e turizmit, ekonomisё, biznesit, shkëmbimeve tregtare, kulturës, etj.
Një vend të rëndësishëm në takim zuri lëvizja e lirë e qytetarëve, duke mundësuar lëvizjen e tyre në të dy vendet vetëm me karta identiteti, për të cilën bashkëbiseduesit konfirmuan vullnetin e përbashkët për të krijuar një rajon pa kufi që integrohet mes vetes dhe në Bashkimin Evropian.
Shefi i diplomacisë shqiptare rikonfirmoi mbështetjen e Shqipërisë në procesin e anëtarësimit të BH-së në NATO, si dhe gatishmërinë e qeverisë shqiptare për një bashkëpunim më të ngushtë në rajon si dhe në kuadër të integrimit evropian.
Në takimin me Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Sigurisë, Sadik Ahmetoviç bashkëbiseduesit ndanë mendimin e përbashkët për rëndësinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe për intensifikimin e tyre në të ardhmen.
Ahmetoviç vlerësoi hapjen e Ambasadës shqiptare në Sarajevë, vitin e kaluar dhe e informoi zotin Haxhinasto për vendimin e Presidencës së BH-së për hapjen e Ambasadës së BH-së në Tiranë.
Në takim u bisedua gjithashtu, për të punuar së bashku për përmirësimin e imazhit të rajonit, duke argumentuar se përmes bashkëpunimit të gjitha vendet e rajonit do të sjellin një rezultat më të shpejtë dhe të prekshëm.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal u theksua se duhet të punohet më ngushtë lidhur me krijimin e rrjetit infrastrukturor të përbashkët në rajon si dhe për heqjen e gjithë barrierave jo-fizike, si ato doganore, etj.
Temë e bisedës ishte edhe Kosova, për të cilën u tha se është e domosdoshme që Kosova të jetë pjesë e proceseve integruese rajonale, duke u bërë pjesë e vizionit dhe perspektivës evropiane të rajonit.
Në vazhdim të vizitës, për nder të Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm Haxhinasto, u shtrua një drekë pune nga Kryeministri i Federatës së BH-së, Mustafa Mujezinoviç, në të cilën morën pjesë edhe disa anëtarë të Qeverisë.
mit/NOA