Prishtinë, 3 shkurt 2011, NOA - Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) ka dënuar ashpër kërcënimin e bërë përmes telefonit nga aktori dhe regjisori Halil Budakova, ndaj gazetarëve të “Kohës Ditore”, dhe gazetës “Express”, Vullnet Krasniqi dhe Alfred Beka. UGK e konsideron kërcënimin në fjalë të papranueshëm, duke e cilësuar më tej edhe pengesë të drejtpërdrejtë në realizimin e punës profesionale të gazetarëve.
Unioni i Gazetarëve të Kosovës sqaron se gazetarët kanë të drejtat e tyre fondamentale për punën që bëjnë dhe këto të drejta nuk duhet të cenohen nga askush.
UGK i bën thirrje regjisorit Budakova që t’u kërkojë ndjesë publike gazetarëve për gjestin jo etik dhe kërcënimin e bërë ndaj tyre.
UGK shpreh shqetësimin për kërcënimet në rritje ndaj gazetarëve gjatë kohëve të fundit duke u bërë thirrje të tërë atyre që kërcënojnë fjalën e lirë të qëndrojnë sa më larg gazetarëve.
Ndërkaq UGK inkurajon gazetarët që të vijojnë punën e tyre në mënyrë profesionale e pa iu përulur sulmeve të mundshme.
mit/NOA