English

Lajçak në selinë rozë, takim kokë më kokë me Ramën

Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA – Pas takimit me Presidentin Topi dhe kryeministrin Berisha, i dërguari i posaçëm i BE-së për ndërmjetësimin në arritjen e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, Miroslav Lajçak sapo ka nisur takimin me shefin e opozitës Edi Rama në selinë rozë. Ndërkohë që presidenca zbardhi bisedën mes Presidentit dhe të Drejtorit Ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm Miroslav Lajçak u mësua se tema qendrore e bisedës ishte situata e rënduar politike në vend dhe gjetja e zgjidhjeve për kalimin e saj përmes dialogut politik.

Lajçak shprehu shqetësimin e krerëve të BE-së se kriza politike në vend po pengon anëtarësimin e Shqipërisë në BE, një aspiratë kyçe kjo për vendin tonë, por edhe për zgjerimin e unionit evropian.

Në takimin me liderin e opozitës, Lajçak po ndërmjetëson për gjetjen e një kompromisi për nisjen e dialogut.

Vetë Lajçak në takimin me Presidentin theksoi se është tejet i rëndësishëm hetimi i paanshëm, transparentt dhe i pavarur i ngjarjeve të 21 janarit.

Pas takimit me shefin e PS-së, i Dërguari i BE-së, Drejtori Ekzekutiv në Shërbimin e Jashtëm të Bashkimit Evropian Miroslav Lajçak, do të mbajë një konferencë për shtyp në orën 18.00, e cila do të zhvillohet në Qendrën e Informimit të Bashkimit Evropian në Tiranë, që ndodhet pranë Rr. Ismail Qemali, Nr 32.

Në këtë konferencë do të jetë i pranishëm edhe Ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi.

mit/NOA

KOMENTE