Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA – Pas takimeve me krerët e politikës, i dërguari i BE-së, Miroslav Lajçak në një konferencë për shtyp deklaroi se duhet të nisë patjetër dialogu politik mes mazhorancës dhe opozitës. Ai u bëri thirrje udhëheqësve politikë të respektojnë institucionet dhe të rifillojnë pa humbur kohë dialogu politik duke përmbushur kështu standardet evropiane.
Lajçak e argumentoi nisjen e dialogut politik pikërisht me faktin se duhet nisur puna për përgatitjen e zgjedhjeve vendore të 8 majit.
Duke folur për situatën politike në vend, Drejtori Ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm në BE shprehu shqetësimin e tij, por gjithashtu edhe shpresën se kriza politike do të zgjidhet në të mirën dhe të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Lajçak theksoi gjithashtu se është kyç në këtë moment hetimi i ngjarjeve të 21 janarit.
Ai bëri me dije se hetimi i këtyre ngjarjeve është në tagrin e Prokurorisë duke nënvizuar se komisioni hetimor nuk ka tagër të hetojë për këtë zbardhjen e ngjarjeve.
Në këtë kontekst ai u bëri rishtas thirrje liderëve të politikës të respektojnë institucionet e pavarura kushtetuese dhe t’i lënë ato të hetojnë sipas ligjit.
Në pritje të demonstratës së nesërme të opozitës e cila do të zhvillohet në katër qytete njëherësh, zoti Lajçak u bëri thirrje qytetarëve të sillen në mënyrë të përgjegjshme e të qetë gjatë protestës së nesërme, me qëllimin e vetëm që të mos përsëritet më një 21 janar tjetër, i cili për Lajçak shënoi një ditë dramatike për Shqipërinë.
I dërguari i komisioneres Kathrin Ashton, siguroi sakaq edhe mbështetjen e BE-së për integrimin e Shqipërisë.
“Ne jemi të gatshëm për t’ju ndihmuar, por zgjidhja duhet të vijë nga udhëheqësit shqiptarë”, tha Lajçak, duke nënvizuar se “BE ju siguron se do t’ju mbështesë në rrugën tuaj.
Në këtë kontekst, një tjetër argument i konferencës ishte edhe përmbushja e 21 kritereve të Komisionit Europian.
“Së treti të nisë puna në mënyrë serioze për 12 pikat e dhëna nga KE për përmbushjen e kritereve”, tha Lajçak.
Ai e nisi konferencën e tij me përgëzimin për ndaljen e mitingut të mazhorancës të shtunën e kaluar.
Gjithashtu i dërguari i BE-së foli edhe respektimin e lirisë së medias dhe fjalës së lirë, duke nënvizuar rishtas se udhëheqësit politikë duhet të respektojnë lirinë e shprehjes.
mit/NOA