English

Meta: Brenda shkurtit do njiheni me kandidatët, që do dyfishojnë rezultatin

Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA- Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta ditën e sotme zhvilloi një takim me krerët e LSI në rrethe.

Gjatë bisedës me ta ai tha se, LSI ka planifikuar 1000 takime për 2 muaj, me qëllim dyfishimin e rezultatit.

Ai e cilësoi datën e 8 majit si fokusin më të rëndësishëm të partisë, duke theksuar se kjo datë do të shënojë kthimin e pushtetit vendor komuniteteve.

Në takim, u diskutua për procesin e përzgjedhjeve të kandidatëve për këshilltarë, kryetarë komunash e bashkish nga strukturat e LSI-së në kuadër të zgjedhjeve vendore të 8 majit.

“I gjithë ky proces që ne kemi nisur duhet të vazhdojë në mënyrë që brenda 2-3 javëve ne të kemi njëkohësisht të propozuara nga strukturat e LSI-së kandidatët tanë për çdo njësi vendore”, u shpreh ai.

Në fjalën e mbajtur Meta e vuri theksin te rëndësia që ky proces zgjedhor ka për vendin dhe për LSI-në.

Ai u bëri thirrje kryetarëve të LSI-së në rrethe që të japin kontributin e tyre për të bërë të mundur realizimin e një procesi zgjedhor sa më transparent dhe me standarde evropiane.

Gjatë fjalës së tij ai nuk ngurroi të përmendë edhe ndryshimet që kjo parti ka kërkuar për Kodin Zgjedhor duke thënë se, “Ne do të vazhdojmë të punojmë dhe nuk do të reshtim së kërkuari, sikurse kemi bërë prej vitesh, për të implementuar ndryshimet e duhura në Kodin Zgjedhor, por dihet që ajo palë e cila e inicioj këtë kod, që është në fuqi, dhe mbi të cilin u administruan zgjedhjet e 28 qershorit, nuk ka vullnet për reformë zgjedhore, nuk ka vullnet për transparencë të vërtetë, sepse transparenca bëhet me ligj dhe duke përmirësuar ligjet, megjithatë është çështje e saj”.

Më tej, ai sulmoi edhe Partinë Socialiste duke thënë se nuk ka vullnet për reformën zgjedhore.

a.y/NOA

KOMENTE