English

Monologu në trajtë dialogu

Të “bisedohet“, të dëgjohet dhe të zbatohet, asgjë tjetër

Nga Behxhet Sh. Shala

Monologu në trajtë të dialogut: Kosovarët janë shumë të çuditshëm dhe vështirë kuptohen nga të tjerët. Disi mendojnë se janë parapaguar që të tjerët, përkatësisht “ miqtë” ndërkombëtarë duhet të punojnë për ta, deri sa ata bëjnë “shtatë palë qejfe” duke mrizuar nëpër kafeteri. Përcaktim evropian, do të thosha. Për sjellje evropiane as që duhet të diskutohet. Edhe në Shqipërinë e joshqiptarëve ishte shndërruar në standard mospuna pas rrëzimit të diktatorit Hoxha, sepse : “si të përvuajtur nga diktatura, tani nuk duhej të punohej por të jetohej nga demokracia”. Doli se as demokracia nuk ishte “tokë e premtuar” për llaskuçët në Shqipëri e as që “miqtë” ndërkombëtarë në Kosovë do të punonin për forcimin e pavarësisë dhe mirëqenien e qytetarëve të saj. Madje, një numër i ndërkombëtarëve u shndërrua në llaskuçër të tipit të demokracisë shqiptare, duke jetuar në kurriz të qytetarëve të Kosovës, skajshmërisht të varfëruar. Na mësonin demokracinë me metoda autokrate dhe silleshin, jo si protektorë por si diktatorë të vërtetë. Nuk lanë vend pa i futur turinjtë. Bënin qeveri, rrëzonin qeveri. Shpifnin kriminelë, mbronin kriminelë. E shpallnin pavarësinë, e dhunonin pavarësinë. E mbronin territorin e Kosovës, i dhuronin copa të Kosovës. E mbronin veriun e okupuar të Kosovës, ia dhuruan këtë pjesë të Kosovës, Serbisë. I formuan enklavat dhe i shndërruan në zona të mbrojtura. Ligjëruan për demokracinë dhe e dhunuan demokracinë. Vendosën kukulla në pushtet duke i poshtëruar edhe si kukulla. E shndërruan Kosovën në Banana Republikë, në emër të një shteti funksional. Merrnin vendime në hije ndërsa politikanët e vendit i përdornin si tellallë. Korrupsionin dhe krimin e organizuar e shndërruan në art së të jetuarit ndërkaq përgjegjësinë e adresojnë te politikanët injorantë kosovarë. Në emër të lirisë së shtypit i shndërruan gazetarët në denoncues kundër shtetit të tyre dhe hiena që mbijetojnë duke e copëtuar kërmën e shtetit të quajtur Kosovë. Kosovën e shndërruan në Darfur ku kontejnerët me mbeturina shërbejnë si minimarkete për 70% të qytetarëve të saj. E krijuan “aristokracinë” vendore të hajnave nga politika duke vjedhur bashkë me ta. Me standarde të dyfishta të interpretimit të ligjit e kriminalizuan një pjesë të Kuvendit të ardhshëm të Kosovës duke i veshur kriminelët me fuqi ligjbërëse, privilegje dhe imunitet.

Kjo ishte një hyrje e shkurtër por besoj shumë përmbledhëse e që ndërlidhet me titullin e këtij shkrimi. Tash nuk ka mbetur tjetër për të bërë përveç se të legalizohet kjo gjendje e krijuar dhe mirë e planifikuar. E kam të qartë faktin se këto bisedime janë paraparë me Rezolutën e OKB-së dhe me vendimin e BE-së si dhe sugjerimin e “miqve” të tjerë ndërkombëtarë. E si të bëhet kjo?. Përmes dialogut “teknik“ midis Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare (Kosovës). Përmes bisedimeve të imponuara pas së cilave duhet të merren vendime të vështira dhe të dhimbshme për Kosovën (po e citoj z.Dell, ambasadorin amerikan dhe kallauzin për të gjitha zhvillimet në Kosovë ). Duhet të jesh, së paku i marrë e të besosh se bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës, në kontekstin aktual mund të quhen teknike. Në kohën kur Serbia nuk e pranon Kosovën si shtet, kur e administron me dhunë afërsisht 20 % të territorit të saj, kur punon anekënd botës kundër njohjes së pavarësisë, kur bënë investime materiale dhe politike, për shkatërrimin edhe të kësaj pavarësie jofunksionale, duhet të jesh idiot e shkuar idioti, e të besosh se këto bisedime bëhen midis dy shteteve të barabarta dhe sovrane. A është e sinqertë këtu bashkësia ndërkombëtare dhe a po luan fer?. Aspak. Edhe këtu po zbatohen standardet e dyfishte dhe po pleqërohet sipas parimit të Mulla Qamil Leshit. Mulla Qamil Leshi ka qenë i njohur për “objektivitetin” dhe “neutralitetin” e tij gjatë zgjidhjes së kontesteve. Gjithmonë i ka mbajtur anën të fortit. Ashtu po vepron edhe bashkësia ndërkombëtare në Kosovë. Serbinë e ka falur nga përgjegjësia për krime të tmerrshme në territorin e ish – Jugosllavisë. E ka futur në Shengenin e bardhë këtë politikë të zezë pis. E ka forcuar ekonomikisht. I ka hequr embargon për shitjen e armëve këtij shteti që këto armë i ka keqpërdorur për vrasjen e disa qindra- mijëra qytetarëve të ish–Jugosllavisë. Po e përshpejton procedurën për integrimin në BE. Po e lejon që në Kosovë ta ndërtojë një Serbi të vogël. E ka shndërruar në partner strategjik. Si po e trajton Kosovën në anën tjetër?. Si të sëmurë, si lebrozë të Kalkutës. E ka mbyllur në karantinë. Nuk ka viza e as procese integruese. Po e mbron korrupsionin dhe krimin e organizuar, si pjesë aktive e saj. Qytetarëve të Republikës së Kosovës u ofron perspektivën e lumit Tisa dhe Rio Grande. Në mungesë të perspektivës për shkak të varfërisë së madhe, papunësisë galopante ata e zgjedhin vdekjen, si përfundim të dëshiruar. Tolerojnë vjedhje të parave, votave dhe të ardhmërisë për shkak të ruajtjes së një stabiliteti dhe realizimit të projekteve të caktuara politike. Në këto rrethana, të besosh se je partner i barabartë në bisedime me Serbinë dhe se ke gjasa të ndahesh mirë është e barabartë me mundësinë që unë ta zëvendësoj z. Dell në pozitën e ambasadorit të SHBA-ve në Kosovë. Kosova do të ndahet shumë keq në këto bisedime “teknike” me Serbinë. Bisedimet nuk po bëhen për rregullimin e trafikut ajror dhe tokësor me Serbinë. Bisedimet nuk po bëhen që Serbia ta kthejë Fondin e plaçkitur pensional të Kosovës dhe kursimet e vjedhura. Këto bisedime nuk do të bëhen për kthimin e materialeve arkivore, kadastrale dhe pasurive kulturore të Kosovës që janë plaçkitur nga Serbia. Këto bisedime nuk po përgatiten që të ndriçohet fati i personave që llogariten të zhdukur. Këso bisedimesh kemi për më shumë se tre vite dhe nuk kanë dhënë fare rezultat. Për të gjitha këto që i përmenda më lart, bashkësia ndërkombëtare ka pasur mundësi dhe është dashur të bëjë trysni te Serbia që t’i kthej në Kosovë. Nuk e ka bërë këtë sepse nuk ka dashur që Serbia të hidhërohet apo të ndjehet si e mundur. Bashkësia ndërkombëtare e ka penguar integrimin e serbëve në Kosovë dhe ka inkurajuar mbylljen e tyre në enklava si dhe aspiratat sudaneze (secesioniste) të serbëve të Veriut të Kosovës. Dhe kjo aspiratë për ndarje do të jetë përmbajtja kryesore e këtyre bisedimeve. E maskuar si bisedime “teknike”.

Të huajt nguten, vendorët përmuten: Nuk mund të lexoni një gazetë apo të dëgjoni një lajm në mediet elektronike, ku nuk do të theksohet domosdoshmëria që sa më parë të fillojnë bisedimet me Serbinë. Thua se kjo është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj dhe se pa këto bisedime do të bëhet kiameti. Në rrethanat aktuale këto bisedime nuk i duhen fare Kosovës, sepse do ta dëmtojnë dhe defaktorizojnë edhe më shumë. Do të humb territore të reja. Do të legalizojë Serbinë e Madhe në Kosovën e Vogël. Do të përligj autonominë e serbëve, statusin special, Tirolin jugor, Jubën sudaneze në Kosovë, të ambalazhuar në një formë të pranueshme dhe të durueshme për qytetarët e Kosovës. Edhe politikanët vendorë deklarojnë se janë të përgatitur për bisedime me Serbinë. Gënjejnë me të madhe dhe gënjeshtra e tyre është e rendë apo më e lehtë në përputhje me peshën trupore apo peshën politike që e kanë. Ndryshe, nuk më duket aspak normale dhe e moralshme të jenë gati për bisedime ku: “do të detyrohen të marrin vendime të rënda dhe të dhimbshme”. Ndërkombëtarët e kanë krijuar një kontekst politik dhe medial që i arsyeton këto bisedime dhe vendimet që do të merren më vonë. Po i shihni intervistat e shumicës së ambasadorëve të huaj në Kosovë. Nuk flasin për vende të reja të punës, zbutjen e varfërisë, luftimin e krimit, korrupsionit, integrimin e serbëve të rebeluar por për bisedimet me Serbinë. Presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, Vuk ( Ujku ) Jeremiq dhe zyrtarë të tjerë të Serbisë gjithashtu nguten që këto bisedime të fillojnë sa më parë. Pse jo? Edhe unë do të ngutesha nëse do të isha i sigurt se do të fitoja diçka nga këto bisedime. Ngutej FYROM-i për demarkacionin e kufirit me Kosovën sepse e mori një copë të mirë të Kosovës. Po ngutet Mali i Zi që demarkacioni të ndodhë sa më parë sepse i ka ngulur hunjtë thellë në territorin e Kosovës. Serbia e llogarit territorin e Kosovës sipas parimit : “zgjidh dhe merr”. Prej shteteve fqinje, vetëm Shqipëria e ka të ndaluar të marr tokë të Kosovës. Madje, edhe me Kushtetutën e Ahtisarit ( Kosovës ). Ndërkombëtarët dhe Serbia e dinë shumë mirë se në Kosovë nuk ka fuqi politike dhe jopolitike që do t’i kundërshtonte këto bisedime e posaçërisht rezultatet ( vendimet ) që dalin nga këto bisedime. As ata që e kanë provuar bakllavanë e as ata që janë drejtuar për ta pushtuar tepsinë me bakllava. Kuvendi që është i kontaminuar me kriminelë të të gjitha profileve nuk do të jetë në gjendje ta kundërshtojë as demarkacionin me Malin e Zi, as bisedimet “teknike” me Serbinë e lëre më vendimet që dalin pas këtyre bisedimeve. “ Negociatorët “me Serbinë në këtë mënyrë do ta sigurojnë një faturë legale (Kuvendin ) për t’i mbuluar dëmet që do t’i bëhen Kosovës.

Krejt në fund. Ndërkombëtarët që konsiderojnë se e kanë bërë Kosovën shtet po i japin të drejtë vetes të sillen si të duan duke e llogaritur Kosovën si plaçkë të tyre. Po sillen si rusët pas përfundimit të luftës së dytë botërore në vendet që i kanë çliruar: “ja te osllobodill, ja te jeball” përkthyer në shqip: “unë të kam çliruar, unë të shaloj (palloj)”. Një gjë megjithatë nuk e kam të qartë ende. Pse e bëjnë këtë? A jemi aq shumë tundues apo jemi krejt të marrë?

KOMENTE