English

Pack: Opozita me skenarë kundër BE

Bruksel, 3 shkurt, NOA – Sjella e opozitës shqiptare duket se ka krijuar një model në rajon. E këtij mendimi është eurodeputetja gjermane, Doris Pack, e cila në një mesazh për klasën politike në Maqedoni, heq një paralele të qartë mes opozitës në Shkup dhe asaj në Tiranë.

Sipas saj opozitat në Shqipëri dhe në Maqedoni nuk punojnë në interes të vendeve të tyre dhe kërkojnë të krijojnë dyshime në Bruksel se vendet e tyre nuk e meritojnë BE-në.

“Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, por edhe kolegët e saj në Shqipëri nuk punojnë në interes të vendeve të tyre. Rezultati i vetëm nga protestat e tyre në rrugë shtojnë dyshimet tek Bashkimi Evropian se vendet e tyre nuk janë të afta për të përmbushur standardet evropiane. Kjo sjellje është e papërgjegjshme. Në vend se në rrugë, ata qëndrimet e tyre duhet ti mbrojnë në Parlament”, theksoi Pack, në një reagim me shkrim pwr situatën politike nw Maqedoni.

Pack nënvizoi se Maqedonisë i duhet Parlament funksional, për shkak se kanë mbetur shumë punë pa u përmbyllur në fushën e legjislativit, ndërsa sipas saj, populli i këtij vendi e meriton një demokraci funksionale parlamentare.

Ajo ka mbrojtur vendimet e institucioneve të Maqedonisë lidhur me rastin e ngritjes së akuzave ndaj televizionit A1.

“Nuk bëhet fjalë për shkelje të lirisë së mediave nga ana e Qeverisë, por për procedurë normale gjyqësore kundër pronarit të këtij televizioni dhe firmave të tjera për shkak të dyshimeve për mashtrim dhe fshehje të tatimeve prej miliona eurove”, theksoi kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Evropën Juglindore, Doris Pack, duke i bërë thirrje opozitës që të rikthehet pranë institucioneve

NOA/INA

KOMENTE