Tiranë, 3 shkurt, NOA – Janë acaruar edhe më tepër tonet mes Presidentit të vendit dhe mazhorancës. Pas kërkesës së bërë paraditen e sotme nga kreu i komisionit hetimor për ngjarjet e datës 21 janar, Eduard Halimi, për marrjen e dëshmisë së kreut të shtetit edhe në zyrën e tij, ka reaguar Presidenca.
Këshilltari juridik i kreut të shtetit, Spiro Peçi u shpreh se kërkesa e ardhur në Presidencë nga ana e komisionit hetimor ka paqartësi juridike. Ai nuk ngurroi të flas dhe për dashakeqësi dhe mungesë njohurish bazë të Kushtetues së vendit.
“Halimi u mundua të bënte një sqarim. Ky komision, edhe nga përmbajtja e shkresës, pretendon të mbledh të dhëna dhe dokumentacione zyrtare. Nëse ky argumentim nuk përmban keqdashje politike, është miopi juridike”, tha Peçi në lidhje me kërkesën.
Ai i shpreh se Presidenti i Republikës nuk është një titullar institucioni i zakonshëm i vendit, por është një institucion.
“Vetëm ata që nuk lexojnë Kushtetutën mund të krahasojnë Presidentin e Republikës me një titullar institucioni. Presidenti është institucion dhe jo titullar. Në bazë të nenit 82 të Kushtetutës, duke qene presidenti institucion, kërkon të dhëna dhe në asnjë rast nuk ka detyrim për të dhënë informacion”, tha sot Peçi.
a.k/NOA