Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA- (Update) Në vijim të fjalës së tij para Komisionit Hetimor lidhur me ngjarjet e 21 janarit, Komandanti i Gardës së Republikës së Shqipërisë, Ndrea Prendi deklaroi se, gardistët i përdorin armët vetëm kur institucioni sulmohet.
“Garda është sulmuar me sende të forta dhe lëndë plasëse. Asaj i është dhënë urdhër që të ruajë gjakftohtësinë. Ajo vendoset në 3 perimetra të mirëpërcaktuar dhe armatimi i saj gjithashtu, është sipas ligjit e përcaktuar. Ne kemi vepruar sipas ligjit dhe asnjë punonjës i Gardës nuk e ka lënë detyrën. Ajo e ka për detyrë të bashkëveprojë me policinë”, tha ai para komisionit.
Gjatë fjalës së tij Komandanti i Gardës deklaroi se, “Nëpërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit jam informuar se nëse dëshiroj mund të shkoj në Prokurori për të dëshmuar, jemi pyetur de mbas pesë orësh na kanë lënë të lirë”.
Lidhur me gatishmërinë e Gardës ndaj hetimeve ai ka shtuar se, “Që në datë 21 në darkë kur situata ka qenë mjaft problematike, ne kemi dhënë të gjitha ndihmesat ndaj hetimeve. Nuk kemi pasur dhe nuk do të kemi asnjë pengesë për hetimet jemi të gatshëm para tyre”.
I pyetur nga komisioni lidhur me qëndrimin e Gardës në protestat e radhës së opozitës, Prendi tha se Garda e Republikës është e gatshme të përballojë gjithçka, duke shtuar se ata janë tërësisht profesional.
“Motivimi i tyre edhe pas 21 janarit është më i madh dhe më i përkushtuar si ndaj institucioneve të shtetit aspo delegacioneve të huaja”, u shpreh ai.
Prendi e mbylli fjalën e tij duke thënë se, Garda e Republikës ka qenë dhe do jetë gjithmonë në gatishmëri të situatës në të cilën do të jetë vendi.
a.y/NOA