English

PS reagon: Meta t’i dorëzohet drejtësisë, e jo të flasë për zgjedhje

Tiranë, 3 shkurt 2011, NOA – Pas deklaratës së sotme të kreut të LSI-së Ilir Meta lidhur me zgjedhjet e ardhshme vendore rishtas ka reaguar selia rozë duke e akuzuar Metën si njeri të pafytyrë duke e argumentuar këtë me faktin e publikuar në videon Meta-Prifti ku i madh e i vogël e pa ish-zëvendëskryeministrin duke vjedhur me bllok në dorë. Ishte deputetja socialiste Olta Xhaçka, e cila në një konferencë të posaçme për mediat theksoi se “Ky njeri që sot do të duhej të gjente vend ku të futej, pas asaj videohajnie të tmerrshme 700 mijë euroshe, ka guximin të akuzojë opozitën e të shesë mend se do të bëjë namin në zgjedhjet e ardhshme me ndjesë pastë Lëvizjen Socialiste për Integrim”.

Deputetja Xhaçka i kujtoi kreut të LSI-së se vjedhjet, aferat e skandalet e dokumentuara me zë e me figurë nuk do të jenë kurrë një platformë e mirë elektorale për të fituar votat e popullit shqiptar.

Në fund të fjalës së saj deputetja socialiste i bëri thirrje Metës të dorëzohet përballë drejtësisë për vjedhjet që ai ka kryer.

“I kujtojmë atij po ashtu se nëse i ka mbetur qoftë edhe një fije arsye, se për integritet e ndershmëri nuk mund të bëhet më fjalë, Ilir Meta duhet të bëjë të vetmen gjë që mund të bëjnë hajdutët e kapur me presh në duar: të shkojë e të dorëzohet tek drejtësia, të lajë hesapet me ligjin dhe mbarë shqiptarët e më së paku, të mos dalë e t’i provokojë ata pa një e pa dy në televizion”, nënvizoi deputetja socialiste”, tha deputetja e PS-së, Olta Xhaçka.

mit/NOA

KOMENTE