English

PS: Saliu dhe Jozefina kanë marrë peng Kuvendin

Tiranë, 3 shkurt NOA – Pas shtyrjes për dy të enjte me radhë të seancave plenare të Kuvendit, ka reaguar sot Partia Socialiste, e cila deklaroi se marrja peng e parlamentit, çmontimi i parlamentarizmit, kërcënimi i shtetit ligjor dhe demokracisë, pengmarrja e institucioneve kushtetuese, korrupsioni qeveritar i pushtetarëve me bllok në dorë dhe varfëria e skajshme e çdo qytetari të zakonshëm, janë arsyet më të mjaftueshme për t’u bashkuar nesër në orën 2 me protestën e qytetarëve në Tiranë, Vlorë, Lezhë dhe Korçë”. Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist Saimir Tahiri theksoi në një konferencë për shtyp se seanca parlamentare është anulluar nga kryeministri Berisha dhe kryeparlamentarja Topalli të ashtuquajtur “Saliu dhe Salizëza në krye të Kuvendit”.

Tahiri bëri me dije se “ndërkohë që seancat plenare nuk mblidhen më fare me urdhër të Saliut dhe shoqes Jozefinë, një komision karagjoz hetimor u mblodh me komandë ushtarake për 5 minuta, ditën e të djelë në mes të natës”.

Deputeti socialist akuzoi kryeparlamentaren Jozefina Topalli se ka vendosur në mënyrë të njëanshme e aspak transparente të anullojë seancën parlamentare, njëlloj si dhe një javë më parë, duke dëshmuar sipas tij se kryeministri dhe deputetët e tij e ministrat kanë frikë nga përballja me opozitën në parlament ashtu si edhe nga përballja me popullin.

Deputeti akuzoi kryeparlamentaren Topalli se është kthyer në një marionetë duke shndërruar Kuvendin në një institucion të marrë peng nga korrupsioni dhe krimi në pushtet, dhe se duke çmontuar parlamentarizmin po synon të marrë peng Presidentin e Republikës, Prokurorin e Përgjithshëm, Shërbimin informativ, median e pavarur e gazetarët e lirë, e bashkë me ta, kërkon të marrë peng dhe opozitën.

“Po bëhemi dëshmitarë të gjallë të një grushti shteti brenda shtetit, me një autor, Saliun, e ca ushtarë, burra e gra, të gjithë bashkë një grusht njerëzish me pushtetin korruptiv që duart e pista me bllok në dorë e kanë kthyer matrapazllëkun, hajdutërinë dhe krimin shtetëror, në sistemin e konsoliduar që ka kapur shtetin duke mbytur demokracinë dhe liritë e qytetarëve”, informoi tahiri.

Sipas tij rreziku që i kanoset institucioneve të pavarura kushtetuese është sot më evident se kurrë.

Në këtë kontekst ai i bëri thirrje popullit opozitar t’i bashkohet protestës së nesërme në katër qytete për të kërkuar dorëzimin përballë ligjit të gjashtë gardistëve që qëlluan mbi trurmën duke vrarë tre demonstrues në 21 janar.

“Saliu do na ketë përballë në çdo rast, në parlament dhe në rrugë. Rezistenca jonë paqësore do të vazhdojë deri kur Saliu të dorëzojë para drejtësisë gardistët që vranë qytetarët e pafajshëm, të kthejë në shinat e ligjit policinë e shtetit, të ndalojë përpjekjen për pengmarrjen e institucioneve kushtetuese, dhe t’i hapi rrugë zgjidhjes politike përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme”, përfundoi deklaratën e tij deputeti socialist Saimir Tahiri.

mit/NOA

KOMENTE