English

Berisha: “21 Janari”, tronditje e pamerituar

Kryeministri drejton mbledhjen e bordit të Agjencisë për Investime dhe Zhvillim: “Me këtë agjenci synojmë të transformojmë në tërësi, të gjithë vështirësitë burokratike me te cilat përballet biznesi, si dhe të promovojmë potencialet e mëdha që ofron ky vend për bizneset”

Tiranë, 4 Shkurt 2011 NOA/ Ervin Tirana - Nën drejtimin e kryeministrit Sali Berisha u zhvillua sot, mbledhja e bordit të AIDA-s e cila miratoi strukturën dhe statusin e kësaj Agjencie.

Duke marrë fjalën kryeministri u shpreh se pas një tronditje thellësisht të pamerituar, ky është mesazhi më i mirë që i dërgohet botës së biznesit shqiptar.

“Ne synojmë me këtë agjenci të transformojmë në tërësi të gjithë burokracinë me te cilën përballen biznesi, vështirësitë burokratike me te cilat përballet biznesi, por synojmë gjithashtu të promovojmë me këtë agjenci potencialet e mëdha që ofron ky vend për bizneset.” u shpreh Kryeministri.

Duke theksuar se ky institucion synon të jetë nga më të aftit, më të besueshmit dhe më eficentët, Kryeministri bëri të ditur se Agjencia do të fillojë rekrutimin e personave, i cili do të jetë një proces transparent, si dhe do të shihet mundësia e angazhimit të ekspertëve ndërkombëtarë në përzgjedhjen e tyre.

Berisha bëri të ditur gjithashtu se Banka Botërore do të ofrojë ndihmën e saj me sektorin e Doing Bussines, mbi bazën e një kontrate dhe vlere, me synim vendosjen e standardeve më të mira, më lehtësuese, që ekzistojnë për të gjitha proceset e procedurat për biznesin.

“BB në sektorin e Doing Bussines kërkon që të na ndihmojë kundrejt një kontrate dhe vlere. Ne do të firmosim menjëherë me këtë degë të BB, e cila ka ekspertizën më të madhe në lehtësimin e biznesit dhe që na ka ndihmuar deri më sot. Por tani Shqipëria është në një kategori tjetër vendesh dhe të ardhurash dhe kërkon që kjo ndihmë të jepet mbi bazë kontrate komerciale dhe ne jemi plotësisht dakord ta kontraktojmë “Doing Business dhe do të marrim hallkë pas hallke të gjithë problematikën që gjen biznesi në Shqipëri dhe të vendosim standardet më të mira , më lehtësuese që ekzistojnë për të gjitha procedurat, për të gjitha proceset. Kjo është e domosdoshme dhe do të bëhet menjëherë.” tha kryeministri.

e.t/NOA

KOMENTE