Egjipt, 4 shkurt, NOA - Dhjetëra mijëra protestues janë mbledhur në Egjipt gjatë ditës së sotme, në atë që është quajtur si "Dita e Largimit". Kërkesa kryesore e protestuesve është largimi i menjëhershëm i presidentit Hosni Mubarak.
Sheshi “Tahrir” dhe rrugët që çojnë drejt tij janë mbushur me protestues. Mijëra të tjerë raportohet të jenë duke protestuar dhe në qytetin e Aleksandrisë. Ushtria ka ngritur pika kontrolli përreth sheshit Tahrir, pas përleshjeve vdekjeprurëse të dy ditëve më parë.
Mubarak ka deklaruar për mediat amerikane se është i gatshëm të largohet, por trembet se dorëheqja e tij do të shkaktojë kaos në Egjipt.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban ki Mun, ka kërkuar që tranzicioni politik të fillojë menjëherë. "Procesi duhet t'i lejojë popullit egjiptian të shprehë dëshirat përmes zgjedhjeve të lira, të ndershme e të besueshme, që duhen mbajtur në momentin më të shpejtë të mundshëm. Procesi duhet të fillojë tani, menjëherë", tha Ban.
Shtëpia e Bardhë tha se po diskuton me egjiptianët "një numër mënyrash të ndryshme" për të ecur përpara drejt një tranzicioni paqësor. Sipas New York Times zyrtarët amerikanë janë në bisedime me ata egjiptianë për largimin e menjëhershëm të Mubarakut.
NOA/RFE