English

Grabitën 150 mijë euro me karta bankare false, arrestohen 4 persona

Tiranë, 4 shkurt, NOA – Katër persona kanë rënë në prangat e policisë së Tiranë për falsifikim të kartave bankare dhe vjedhjen e 150 mijë eurove. Tre kosovarë dhe një shqiptar janë ndalur në kuadër të operacionit “SKIMER 2”, pas disa muajsh hetimesh.

Ata janë; Selatin Milaim Krasniqi, 36-vjeç, lindur dhe banues në Prishtinë, Ergyn Shena Sylejmani, 26-vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Dardania” Prishtinë, Milaim Isa Potoko, 28-vjeç, lindur dhe banues në lagjen “Matiçan” Prishtinë, si dhe Agim Osman Sulo, 52-vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, biznesmen.

“Arrestimi i këtyre shtetasve është bërë pasi akuzohen se në bashkëpunim me njëri tjetrin, me karta bankare të falsifikuara, kanë kryer një numër të konsiderueshëm transaksionesh bankare në vlerë rreth 150 000 euro, nëpërmjet terminaleve ‘’POS” të vendosura në disa nga subjektet tregtare, kryesisht të zonës së plazhit të Durrësit, qendrave tregtare në Tiranë, Durrës dhe Elbasan”, thuhet në njoftimin e policisë.

Të katër personat kanë arritur të thyejnë kodet e sigurisë me karta bankare të falsifikuara në bankomate të bankave të nivelit të dytë në Tiranë në muajt Shtator-Tetor.

Po ashtu ata kanë arrit të marrrin sasi të konsiderueshme parash edhe gjatë muajve Janar-Shkurt 2011.

Në total ata kanë kryer mbi 100 transaksione me vlerë rreth 150 000 euro. Me një pejsë të këtyre paarave kanë kryer blerje të mallrave ushqimore, mallra industriale, furnizme me karburant të mjeteve me të cilat qarkullonin, në disa supermarkete, bare e restorante, hotele dhe pika karburanti nëpërmjet terminaleve “POS”, që ofronin këto shërbime.

Pas arrestimit të tyre policia ka konfiskuar: pajisje kompjuterike “Skimmer” që shërbejnë për klonimin e kartave, dhjetëra karta plastike me shirit magnetik në të cilat janë hedhur të dhëna të kartave bankare të vjedhura, një kompjuter “lapotop” që ka shërbyer për programimin e këtyre të dhënave, një automjet fuoristradë.

Të katër personat akuzohen për kryerje të veprës penale të “mashtrimeve kompjuterike “ parashikuar nga neni 143/b paragrafi i dytë i Kodit Penal.

Policia bën të ditur se hetimet do të vijojnë edhe në ditët në vazhdim për vënien para drejtësisë të të gjithë personave të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Për arrestimin e këtij grupi të është dashur bashkëpunimi i disa policive të qarqeve në Shqipëri. Operacioni është drejtuar nga Sektori Kundër Krimeve Kompjuterike në Drejtorinë Kundër Krimit Financiar në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Njësinë e Përbashkët Hetimore Kundër Korrupsionit dhe Krimit Ekonomik pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Drejtoritë e Policisë së Qarqeve Kukës dhe Durrës, si dhe shërbimet e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale.

a.k/NOA

KOMENTE