Londër, 4 Janar, NOA- Është hapur kohët e fundit dhe është i pari i këtij lloji në botë. Siç e dini ka hotele për qentë dhe macet, por a keni dëgjuar për një hotel për pulat? 31 vjeçari David Roberts ka hapur në Cornwall (Boskenwyn) një hotel si gjithë të tjerët, me të njëjtat shërbime: i vetmi ndryshim është se ai është i rezervuar për pulat.
Mund të duket një ide absurde, por ky hotel me sa duket po dëshmon një sukses të madh.
"Falë rritjes së dëshirës të njerëzve që duan të largohen nga jeta e qytetit dhe të transferohen në fshat rritja e pulave është duke u bërë gjithnjë e më popullore", - thotë David. Secila nga dhomat- kafaz të “Chicken Hotel” mund të strehojë deri në 8 pula duke përfshirë dhe shërbimin. David garanton ushqim të pasur për mëngjesin, drekën dhe darkën.
Të ftuarat gjithashtu janë të lira të shëtisin në kopshtin e hotelit gjatë gjithë ditës, ndërsa në mbremje kthehen në dhomat e tyre për të fjetur. Sipas David, gjatë festave të Krishtlindjeve hoteli ishte i rezervuar plotësisht dhe pritet një bum rezervimesh edhe për pushimet e ardhshme të Pashkëve.
a.e./NOA