Prishtinë, 4 shkurt, NOA - Kosova ka perspektivë evropiane, ashtu si edhe vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, ka thënë ish kryeministri slloven Janez Jansha. Ndërsa flet edhe për raportin e Dik Martit, duke thënë “se nuk është kredibil derisa nuk jepen prova”.
“Kosova mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian brenda dekadës së ardhshme, madje mund të jetë një anëtar shumë i zhvilluar, nëse i bënë përgatitjet e nevojshme që në proceset e para anëtarësimit”. Kështu ka vlerësuar ish kryeministri slloven Janez Jansha gjatë qëndrimit në Prishtinë. Sipas tij Kosova duhet të bëjë përgatitjet që të hyjë në Evropë, ashtu si parashihet me marrëveshjen e Selanikut të vitit 2003, ku thuhet se të gjitha vendet e Ballkanit perëndimor mund të anëtarësohen në BE.
Duke folur për problemet mes Kosovës e Serbisë, Jansha tha se të dy vendet duhet të bisedojnë shumë çështje, në interes të qytetarëve të tyre, por përjashtoi propozimet për ndarjen e Kosovës.
“Ndryshimi i kufijve është i papranueshëm dhe asnjëri institucion në BE nuk do ta trajtonte një propozim të tillë. Kosova është njohur me kufijtë ekzistues në 2008, kur ka shpallur pavarësinë dhe zgjidhje tjera nuk janë realiste”, ka thënë Jansha.
Ai tërhoqi vërejtjen se pas raportit të Dik Martit, në bisedimet e ardhshme ndërmjet Kosovës e Serbisë mund të ketë përpjekje për ta dobësuar pozicionin e palës kosovare. Por justifikimi për mosbesim në autoritetet kompetente, nuk e arsyeton mos dhënien e provave për akuza kaq të rënda, përkundrazi kjo e vënë në pikëpyetje kredibilitetin e atij raporti, ka thënë ish kryeministri slloven, Janez Jansha.
NOA/RTK