English

KMDLNJ: Diskriminimi në baza etnike, i papranueshëm

Prishtinë, 4 shkurt, NOA - Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut në Prishtinë është i shqetësuar për reagimin e mësimdhënësve të shkollës fillore “ Elena Gjika” me rastin e emërimit të zv/drejtorit të shkollës nga komuniteti turk, Daut Hamullar.

Për KMDLNJ, reagimet e mësimdhënësve të kësaj shkolle janë ofenduese, degraduese dhe shkelje e të drejtave dhe lirive të njeriut dhe se marrin përmasa raciste.

“KMDLNJ konstaton se emërimi i zv/drejtorit të shkollës është i ligjshëm. Kurse bojkotimi i mësimit nga mësimdhënësit e kësaj shkolle është një mesazh i keq për nxënësit e shkollës fillore “Elena Gjika”. Këta mësimdhënës duhet të jenë shembull i respektimit dhe promovimit të drejtave dhe lirive të njeriut.

Sipas KMLDNj, mësimdhënësit duhet të mbrojnë të drejta dhe liritë e njeriut para nxënësve të kësaj shkolle e jo të jenë shembull i keq për gjeneratat e reja.

“Për KMDLNj është shqetësues fakti që këta mësimdhënës nuk merren me kualitetin apo kushtet e mësimit por atakojnë në mënyrë jo të drejtë personin e cili është pjesëtar i komunitetit turk. Deklarimet në media se Hamullar nuk është i përshtatshëm për shkollën janë të papranueshme. Sidomos është i papranueshëm fakti që këta mësimdhënës arsyetimin e mbështesin në përkatësinë etnike të Hamullar”, përfundon deklarata e KMLDNj-së.

n.e/NOA

KOMENTE