MiGazin është një portal interneti, që furnizohet kryesisht nga njerëz me origjinë emigrantësh. Synimi i portalit është që t'u mundësojë emigrantëve një pjesëmarrje më të mirë në jetën politike dhe shoqërore në Gjermani
Raportimi nga një këndvështrim tjetër nga ai i masmediave për temat migrim dhe integrim, ky ishte synimi i krijuesve të MiGazin-ës, kur e ngritën atë tri vjet më parë. Njëri prej tyre është Ekrem Senol, redaktori drejtues i portalit:
"Një perspektivë tjetër për mendimin tonë ekziston atëherë, kur një temë e caktuar përpunohet prej një të prekuri vetë. Tek ne zakonisht shkruajnë njerëz, që kanë vetë origjinë emigranti dhe që prandaj kanë një pozicionim krejt tjetër ndaj temave, se ta zëmë "gjermanët organikë".
Janë përvojat e brezit të dytë dhe të tretë të emigrantëve në Gjermani, të cilat pasqyrohen në MiGazin. Megjithëse shumë prej tyre kanë lindur këtu dhe ndihen të integruar shumë mirë këtu, mediet kryesisht flasin për ta dhe shumë rrallë me ata vetë. Akoma më rrallë flasin ata vetë. Por kjo është shumë e rëndësishme, deklaron Senol:
MiGazin, jo vetëm për t’i shërbyer emigrantëve
"Kur unë si një njeri me origjinë turke tërheq vëmendjen në probleme të caktuara, mbaj edhe qëndrim autokritik, kjo regjistrohet krejt ndryshe nga një lexues me origjinë turke. Pra, kur dikush, nga i njëjti komunitet prek një temë, vetëm ky fakt bën te njerëzit jashtë një përshtypje krejt tjetër."
MiGazina megjithatë nuk është ngritur për t'u shërbyer vetëm emigrantëve. Autorët duan që me të të arrijnë para së gjithash shumicën e shoqërisë:
"Në fakt unë dua që të arrij me raportet fqinjin tim gjerman. Unë dua që të më kuptojë fqinji im gjerman, që ai të fitojë një përshtypje nga unë në botën time."
Për ta arritur këtë synim përkthehen për shembull artikuj nga shtypi gjerman që botohet në Gjermani në mënyrë të përmbledhur në gjermanisht. Kështu qytetarët gjermanë mund të shohin se çfarë lexojnë emigrantët e tyre, cilat janë temat me të cilat merren ata dhe cila është mënyra e të menduarit në këtë komunitet.
Njëkohësisht, në portalin e internetit bëhen përpjekje që të fitohen si autorë edhe gjermanë, që nuk janë me origjinë emigrantësh. Kështu, Leo Brux, mësues në kurset e integrimit nga Mynihu u bashkua para pak muajsh me ekipin e autorëve. Ai harton një pasqyrë shtypi javore, për temat e migrimit dhe integrimit
MiGazin synon, çfarë i preokupon emigrantët në Gjermani
"MiGazin më pëlqeu shumë, sepse është e qetë, objektive dhe e patensionuar. Ky portal të mundëson një vështrim të përgjithshëm shumë të mirë dhe të diferencuar për atë që ndodh. Pasi i lexova shkrimet për një kohë të gjatë, thashë: pse të mos kontribuoj edhe vetë me diçka?"
MiGazin synon të tregojë se çfarë i preokupon shumë emigrantë në Gjermani. Kështu lexuesit mund të gjejnë informacione për boshllëkun e pagesave të pensioneve për punëtorët turq, për seksualitetin te të rinjtë myslimanë krahas artikujve për holokaustin. Vetëm me platforma të tilla mund të zhvillohet një diskutim i frytshëm midis emigrantëve dhe joemigrantëve, mendojnë autorët e portalit.
Të gjithë autorët në ekipin e MiGazin-ës punojnë pa pagesë, në mënyrë honorifike. Portali i internetit financohet kryesisht me donacione dhe pak reklama. Me qëllim, hartuesit e portalit vendosën kundër paraqitjes së një kërkese për t'u financuar si projekt. Kjo sepse mjetet për projekte ofrohen vetëm për një periudhë të kufizuar kohore dhe sipas bindjes së hartuesve portali duhet të ekzistojë për një kohë të gjatë. /DW/