English

Nishani pret kreu e drejtësisë së EULEX-it

Tiranë, 4 Shkurt 2011 NOA/ E.Tirana - Ministri i Drejtësisë, z.Bujar Nishani priti sot në një takim kortezie, z. Silvio Bonfigli, kreu i komponentit të drejtësisë të EULEX-it , znj. Maria Guliana presidente e Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX si dhe kreun e prokurorisë se EULEX,z. Johannes Van Vreeswijk.

Në qendër të bisedimeve dypalëshe ishte njohja me veprimtarinë që ushtron komponenti i drejtësisë së EULEX-it, si pjesë e asistuese e Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera të drejtësisë. Roli që ka pasur EULEX në reformimin e sistemit gjyqësor kosovar, pjesëmarrja në Këshillin Gjyqësor si dhe roli ndihmës që luan EULEX pranë autoriteteve të hetimit.

Më tej në frymën e bashkëpunimit të ndërsjellë, mes Ministrit të Drejtësisë, z. Bujar Nishani dhe kreut të Drejtësisë së EULEX, z. Silvio Bonfigli u shkëmbyen mendime mbi disa draft- marrëveshje të përbashkëta, për ndihmën e ndërsjellë juridiksionale, ekstradimet dhe transferimet me Republikën e Kosovës, të cilat presin formimin e qeverisë së re për t’u miratuar.

Ministri shprehu gatishmërinë e tij me qëllim që ndihma e ndërsjellë në fushën e bashkëpunimit ndërgjyqësor të jetë e shpejtë dhe efikase si dhe shfaqi gatishmërinë e tij në miratimin e draft marrëveshjeve të hartuara me ekspertizën e dy palëve.

Ministri Nishani shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me EULEX mbi çështjet e ngritura në raportin e deputetit zviceran Dik Marti.

Nga ana tjetër drejtuesi i EULEX-it për drejtësinë, z. Silvio Bonfigli vlerësoi gatishmërinë e Qeverisë Shqiptare për bashkëpunim. Në lidhje me raportin e Martit, ai u shpreh se ka kërkuar paraqitjen e provave mbi akuzat e ngritura në raport.

Në mbyllje, z. Silvio Bonfigli deklaroi se e konsideronte këtë takim, një takim kortezie të rëndësishëm për hapat e mëtejshëm të bashkëpunimit në kuadër të modernizimit të institucioneve kosovare të drejtësisë.

e.t/NOA

KOMENTE