English

Peter Balazs: Njohja e plotë e Kosovës nga BE, e domosdoshme

Budapest, 4 shkurt, NOA - “Mendoj se njohja e Kosovës nga e gjithë BE-ja është një parakusht i domosdoshëm për çdo hap të mëtejmë”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ish-ministri i Punëve të Jashtme i Hungarisë, njëherësh kryetar i Qendrës për Studime të Zgjerimit të Bashkimit Evropian me seli në Budapest, Peter Balazs. Zoti Balazs, kur Hungaria mori përsipër presidencën e Bashkimit Evropian, zyrtarët thanë se një nga prioritetet do të jetë integrimi evropian i rajonit të Ballkanit. Cila është pikëpamja e juaj për dinamikën e integrimit të Kosovës karshi vendeve të tjera të rajonit, si Shqipëria, Bosnja, Maqedonia, Mali i Zi dhe shtete të tjera?

I tërë rajoni i Ballkanit Perëndimor po lëviz drejt Bashkimit Evropian. Ky është një lajm i mirë. Ky është një rajon shumë i veçantë në Evropë, sepse Ballkani Perëndimor është një enklavë e BE-së. Nuk ka fqinjë të tjerë të këtij rajoni përveç shteteve të Bashkimit Evropian; të gjitha përreth - duke filluar nga Greqia, Bullgaria, Hungaria, Sllovenia, Italia. Pra, në një farë mënyre Ballkani Perëndimor është brenda Bashkimit Evropian. Kroacia po e udhëheq këtë lëvizje dhe është shumë afër përfundimit të bisedimeve për anëtarësim. Shpresoj se dikur gjatë këtij viti, ndoshta jo gjatë presidencës hungareze, por gjatë vitit 2011 do të ketë një përfundim të mirë për negociatat, që pastaj të fillojë ratifikimi i anëtarësimit të Kroacisë. Serbia po lëviz, po ashtu, dhe ky është prapë një lajm i mirë, sepse të gjitha shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor kanë drejtuar sytë kah Serbia dhe marrëdhëniet e tyre me Serbinë janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Pra, është një lajm i mirë për të gjitha shtetet e tjera - duke u nisur nga Bosnja, Kosova, Shqipëria e deri te Maqedonia, nëse Serbia bën hapa të rinj drejt qendrës evropiane. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian duhet t’i kushtojë më shumë rëndësi qasjes rajonale, sepse rajoni i Ballkanit Perëndimor nuk është i madh. Numri i popullsisë është i përafërt me atë të Rumanisë - 23 milionë e ndoshta pak më shumë, por që janë të vendosur në shtatë shtete të ndryshme. Është e rëndësishme të testohet gatishmëria e secilit shtet, por është gjithashtu e rëndësishme që të merret parasysh i tërë rajoni. Unë shpresoj që presidenca hungareze të mund ta promovojë afrimin e Ballkanit Perëndimor drejt BE-së. Sa i përket Kosovës, mendoj se është i nevojshëm një hap i rëndësishëm - stabilizimi i shtetit dhe njohja zyrtare nga të gjitha vendet anëtare të BE-së, sepse pa të nuk mund të merret ndonjë hap i mëtejmë.

Përmendët mosnjohjen nga pesë shtetet anëtare të BE-së. Cili është, në fakt, ndikimi që ka kjo mosnjohje për Kosovën?

Ndikimi është që Kosova nuk është njohur nga pesë anëtare të Bashkimit Evropian. BE-ja, si e tillë, nuk mund të hapë bisedime dhe marrëdhënie zyrtare (me Kosovën), sepse pesë nga vendet tona anëtare nuk e njohin Kosovën si shtet. Mendoj se ky është një parakusht i domosdoshëm për çdo hap të mëtejmë. Brukseli e sheh dialogun e ardhshëm ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si proces të rëndësishëm për të dyja vendet drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Çfarë prisni ju nga ky dialog?

Mendoj se mosnjohja nuk është një pengesë për ndihmën e BE-së, pra ato pesë shtete nuk janë kundër ndihmës ndaj Kosovës; nuk janë kundër promovimit të procesit të stabilizimit për Kosovën. Ky është një lajm i mirë, sepse kjo mund ta forconte pozitën e Kosovës. Mendoj se shtetet duhet të njihen nga shtetet e tjera. Pra, mendoj se është parakusht politik i domosdoshëm që të trajtohet një territor si shtet.

A do të thotë kjo që edhe Serbia duhet ta njohë Kosovën, nëse kemi parasysh që bashkëpunimi rajonal është një nga kriteret kryesore për BE-në kur bëhet fjalë për procesin e integrimit?

Mendoj se të gjitha shtetet - jo vetëm ato në BE, por edhe të rajonit të Ballkanit, duhet ta trajtojnë Kosovën si një partner me të drejta të plota dhe një shtet të njohur plotësisht. Qëndrimi i Beogradit karshi pavarësisë së Kosovës është i njohur. Në anën tjetër, të dyja palët pritet ta zhvillojnë një dialog në mes vete. A do të duhej të përfundonte dialogu me njohjen e Kosovës nga Serbia? Çfarëdo dialogu në marrëdhëniet ndërkombëtare, mendoj se është një mjet shumë i mirë për të ndihmuar njëri-tjetrin, për të shkëmbyer informata dhe për të përgatitur hapa të mëtutjeshëm. Pra, dialogu është një gjë e mirë, një lajm i mirë dhe i tillë është për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

REL

KOMENTE