Tiranë, 05 Shkurt 2011 - Drejtori i Përgjitshëm i Policisë së Shtetit Hysni Burgaj dha sot informacione para Komisionit hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Institucioneve, gjatë veprimit të organizuar kriminal të datës 21 Janar 2011, mbi zhvillimet para, gjatë dhe pas sulmit me dhunë të Kryeministrisë dhe rendit kushtetues.
Drejtori Burgaj iu përgjigj edhe të gjitha pyetjeve, të anëtarëve të Komisionit hetimor parlamentar.
Më poshtë vijon deklarata e plotë e z.Burgaj para Komisionit Hetimor:
I nderuar Zoti Kryetar i Komisionit Hetimor,
Të nderuar deputetë,
Ndjehem i nderuar dhe i vlerësuar të jap shpjegime para këtij Komisioni për veprimtarinë e strukturave dhe punonjësve të Policisë së Shtetit para, gjatë dhe pas demonstratës së dhunshme të datës 21 Janar.
Paraprakisht dëshiroj të nënvizoj se, gjithë aktiviteti i kryer nga Policia e Shtetit, ashtu si çdo veprimtari e saj, ka qenë i bazuar në Kushtetutë e legjislacionin në fuqi, si dhe në zbatim të normave dhe procedurave standarde të vendosura për një policim demokratik.
Me poshtë po jap një informacion për periudhën para, gjate dhe pas demonstratës se dhunshme te datës 21 janar 2011.
I. PARA ZHVILLIMIT TË DEMONSTRATËS
1. Masa që janë marrë nga Policia e Shtetit për grumbullimin, vlerësimin e shkëmbimin e informacionit.
Masat për grumbullimin e informacionit
Me marrjen dijeni nga media se subjekti Partia Socialiste do te zhvillonte ne Tirane, në datën 21 janar 2011, një demonstrate, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë u ka kërkuar, që në datën 17 Janar strukturat vartëse që të siguronin informacion për evidentimin e identifikimin e individëve me tendenca të dhunshme, të personave me precedentë kriminalë e penale, të cilët mund të aktivizoheshin në këtë demonstratë për cenimin e rendit e sigurisë publike, kryerjen e trazirave dhe incidenteve të ndryshme. Këto kërkesa janë formuluar zyrtarisht nëpërmjet disa akteve administrative.
Shumë shpejt, strukturat vendore të policisë dërguan informacion të hollësishëm rreth zhvillimeve të pritshme te datës 21 Janar 2011, ku midis të tjerash bëhej fjalë për “grumbullim të personave me precedentë penalë e kriminalë, të cilët do të tentonin të hynin në sallën e Parlamentit”, “se po këta demonstrues rreth orës 20.00 do te shkojnë ne afërsi te shtëpisë se Kryeministrit dhe do te presin derisa Kryeministri do te kthehet ne shtëpi...”, “...turma do të godasë me mjete të forta ne drejtim të selisë se Këshillit te Ministrave ...”, “... pjesëmarrësit në miting do të marrin me vete sende dhe mjete të forta, si shkopinj, shishe me benzinë etj, me te cilat, do provokojnë punonjësit e policisë shtetit që do të jenë në detyrë,” “...do të shkatërrohen mjetet e parkuara para institucioneve kryesore të vendit, si dhe do të merren mjete të vjetra të cilat do të digjen nga protestuesit..”, “... se në vendet e vuajtjes së dënimit, nga radhët e personave të dënuar po bëhen organizime për të shkaktuar trazira, duke shpërthyer dyert e brendshme, për të dalë jashtë dhe bashkuar me demonstruesit ...” ... se demonstruesit do te rrethonin selinë e Këshillit te Ministrave dhe pallatin ku banon Kryeministri, ...se do te sulmohej nga demonstrues selia e Partisë se LSI-së.., etj, etj.
Informacioni i siguruar para datës 21 Janar bënte fjalë, gjithashtu, edhe për mënyrën e organizimit e grumbullimi të demonstruesve me banim në Tiranë dhe atyre që do të vinin nga rrethet e ndryshme sipas drejtimit të rrugëve hyrëse në qytetin e Tiranës si dhe itinerarin e lëvizjeve drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”.
Vlerësimi dhe shkëmbimi i informacionit
Gjithë informacioni i grumbulluar mbi zhvillimet e mundshme kriminale në demonstratën e 21 Janarit ju kalua për marrje masash DPQ Tiranë e në formë shkresore u informuan:
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për të forcuar masat e sigurimit të dënuarve, në vendet e vuajtjes së dënimit.
Garda e Republikës, për të marre masat e nevojshme për sigurinë e Objekteve të Rëndësishme Shtetërore, në veçanti të selisë se Këshillit te Ministrave, si dhe sigurimin e ruajtjen e Personaliteteve te Larta Shtetërorë etj.
Me datë 18 Janar 2011 kemi kërkuar bashkëpunimin e Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH) për të na ofruar informacion rreth zhvillimit të demonstratës dhe, me shkresën e tyre të datës 20 Janar 2011, kemi marrë përgjigjen, ku në esencë thuhet se jemi të gatshëm për bashkëpunim dhe nëse do të konstatohen informacione, do të bashkëpunojmë. Deri në datën 21 Janar nuk kemi administruar asnjë informacion zyrtar nga Shërbimi Informativ i Shtetit, për këtë çështje.
Komunikimi me drejtues të opozitës
Ne mungese te një njoftimi zyrtar për zhvillimin e demonstratës, Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë me shkresë nr. 430/6, datë 19.01.2011, dërguar Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë, zotit Edi Rama, ka kërkuar se është e nevojshme dërgimi i njoftimit me shkrim për zhvillimin e demonstratës, sipas pikave 1 dhe 2, të nenit 5, të Ligjit nr. 8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet”.
Me shkresën Nr. 2, datë 19.01.2011, Partia Socialiste e Tiranës ka njoftuar “se simpatizantë të Partisë Socialiste më datën 21 Janar 2011 do tubohen në një demonstrim popullor paqësor me pjesëmarrjen e mijëra njerëzve”.
Meqenëse njoftimi kishte mangësi, po në rrugë shkresore, kemi kërkuar informacion shtesë nga organizatorët për të përcaktuar drejtuesit e tubimit dhe ndihmësit e tij, duke i pajisur ata me shenja dalluese si dhe për të përcaktuar orën e përfundimit të tubimit dhe itinerarin e lëvizjes, informacion ky i parashikuar në ligj dhe me tepër vlerë për marrjen e masave dhe sigurinë e tubimit nga policia. Përgjigja ka ardhur në datë 20.01.2011, duke na njoftuar se “drejtuesi i tubimit është partia Socialiste dhe forumet e saj”, si dhe përcaktonte intenerarin e grumbullimit të protestuesve.
Komunikimi me oficerët e kontaktit të vendeve te Bashkimit Evropian dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikës, te akredituar në Tiranë.
Më datë 20.01.2011 në ora 10.00 kam organizuar një takim me oficerët e kontaktit te vendeve te Bashkimit Evropian dhe Shteteve te Bashkuara te Amerikës të akredituar në Tiranë për t’i njohur me informacionin që dispononte Policia e Shtetit rreth zhvillimeve të pritshme ne demonstratën e planifikuar nga opozita për datën 21 Janar 2011.
Komunikimi me mediat
Një ditë para zhvillimit të demonstratës nga zëdhënësi i DPP është bërë njoftim për shtyp, ku është deklaruar se strukturat e policisë do të monitorojnë me kamera regjistrimi gjithë ambientin ku do të zhvillohet tubimi. Njëkohësisht, janë ftuar pjesëmarrësit në tubim të respektojnë ligjin dhe të shmangin provokimet apo goditjen e personelit policor me shërbim.
2. Masat administrative, organizative e operacionale.
Më datë 19.01.2011 gjithë strukturat e Policisë së Shtetit kaluan në shërbim të përforcuar dhe në aktin përkatës janë parashikuar një kompleks masash policore ku ndër më kryesoret janë përcaktuar këto detyra:
Hartimin e planeve shtese të masave nga strukturat e policisë vendore.
Ngritja në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, sipas departamenteve dhe në strukturat e policisë vendore të grupeve të drejtimit operativ.
Marrjen e masave për shkëmbimin e informacionit ndërmjet strukturave të policisë nga qendra në bazë e anasjelltas.
Marrjen e masave për ruajtjen dhe sigurimin e objekteve të rëndësishme shtetërore, si dhe organizimin e shërbimeve për rritjen e prezencës së punonjësve të policisë në komunitet e terren.
Marrjen e masave për rritjen dhe forcimin e bashkëpunimit e bashkëveprimit me strukturat e Gardës së Republikës së Shqipërisë dhe institucionet e tjera të zbatimit të ligjit, njësitë e qeverisjes vendore, mediat, etj.
Hartimin e Planit - Masave nga Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë me detyra konkrete për të gjithë strukturat e shërbimet e policisë dhe efektivat policore te dhëna ne mbështetje.
Drejtoritë e policisë së qarqeve te dërgonin forca policie ne dispozicion te Drejtorisë se Policisë Qarkut Tirane.
Vënia në dispozicion të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë të 280 punonjës policie të FNSH-së dhe 120 punonjës të Repartit “Renea”.
Në datat 18-19.01.2011, në Drejtorinë e Policisë Qarkut Tiranë, u zhvilluan disa takime te përbashkëta me pjesëmarrje të drejtuesve qendrore të Policisë së Shtetit, përfaqësuesve të Gardës së Republikës dhe gjithë drejtuesve të strukturave të DPQ Tiranë për t’u njohur me situatën e pritshme dhe masat që do të merren.
Pranë strukturave të DPQ Tiranë u dërguan specialistë të Departamentit për Sigurinë Publike për të ndihmuar nga afër për hartimin e Planit të Masave për përballimin e demonstratës së datës 21.01.2011.
Për zbatimin në përputhje me ligjin të detyrave të parashikuara në planin e masave të DPQ Tiranë u zhvillua instruktazh i veçantë më gjithë personelin e angazhuar për sigurimin e demonstratës, në të cilin kanë marrë pjesë edhe drejtuesit e policisë Tiranë nën monitorimin e përfaqësuesve të OSBE-së.
Strukturat e DPQ Tiranë në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë Rrugore, të mbështetur edhe nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, nga ora 08.00, datë 20.01.2011 deri më datë 21.01.2011, kanë organizuar dhe ngritur pika kontrolli në të gjithë akset rrugore në hyrje të qytetit të Tiranës.
Në zbatim të Planit të Masave të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas zhvillimit të demonstratës së datës 21.01.2011 janë angazhuar gjithsej 1670 punonjës policie të roleve dhe niveleve të ndryshme, nga këta 280 punonjës policie efektiv të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe 120 punonjës policie të Repartit Special “RENEA”.
Në orën 11.00, datë 21.01.2011 u krye vendosja e efektivave të shërbimeve të rendit publik, Forcave Lëvizëse Operacionale dhe shërbimeve të tjera policore, sipas planifikimit dhe ndarjes së sektorëve.
Rreth orës 13.00, datë 21.01.2011, kam inspektuar punonjësit e policisë të pozicionuar para selise se Keshillit te Ministrave dhe i kam porositur që të jenë të kujdesshëm, të bëjnë durim dhe ruajnë qetësinë nga provokimet e mundshme.
Punonjësit e angazhuar, sipas Planit të Masave, janë monitoruar gjatë gjithë kohës nga grupet e monitorimit të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
II. GJATË ZHVILLIMIT TË DEMONSTRATËS
Në intervalin kohor nga ora 13.30 deri ne orën 14.00 protestuesit kanë lëvizur nga vend grumbullimet e tyre ne drejtim te Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ndërmjet dy ministrive duke lëvizur drejt selisë se Këshillit te Ministrave.
Turma e demonstruesve që lëviznin ne itinerarin Sheshi “Demokracia “ (Zogu i Zi), përgjatë rrugës së Durrësit, ne drejtim të sheshit “Skënderbej”, rreth orës 13.00, kanë ushtruar dhunë fizike ndaj shtetasve të ndryshëm. Këto fakte janë fiksuar nga shërbimet policore të planifikuara përgjatë këtij aksi rrugor dhe deklarimet e qytetarëve të dhunuar me mjete të forta si gurë, çadra e shkopinj, të cilat protestuesit i mbanin ne duar.
Gjithashtu, nga ana e shërbimeve policore, jemi informuar ne lidhje me goditjen dhe dhunimin e godinës së Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës apo kalimtarëve të rastit me mjete të forta. Që ne këto momente u konstatua se kishim të bënim me një turmë të dhunshme dhe menjëherë u dhamë porositë e nevojshme gjithë strukturave policore, të bënin kujdes mos binin preh e provokimeve dhe veprimeve të dhunshme të turmës.
Në orën 14.20, kanë mbërritur përpara selisë se Këshillit te Ministrave një grup prej 300 - 350 demonstruesish, të cilët pa asnjë paralajmërim dhe pa asnjë provokim nisën goditjen e Forcave të Rendit. Në fillim me çadra, hunj, mjete të tjera të forta që i mbanin nëpër duar dhe më pas dhuna u përshkallëzua. Vetëm pak minuta pas nisjes së goditjes me mjete të forta, që tashmë i kishin sjellë, nisën të lëvizin pllakat e bulevardit dhe të godasin me furi mbi rreshtat e punonjësve të policisë së rendit, ndërsa Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë janë pozicionuar në të dy krahët e selisë se Këshillit te Ministrave, me qëllim që të ishin sa me afër situatës, por nuk janë futur në veprim, duke qëndruar në gatishmëri.
Për 35 – 40 minuta protestuesit kanë vazhduar dhunën ndaj punonjësve të policisë. Dhuna u përshkallëzua hap pas hapi. Në valën e parë të dhunës mbetën të plagosur dhjetëra e dhjetëra efektivë të Policisë së Shtetit, duke përfshirë këtu drejtues të lartë, të cilët u goditën në kokë, gjymtyrë dhe në trup nga mjete të forta, te rrezikshme për jetën.
Në këto çaste të vështira drejtuesit e DPQ Tiranë, nëpërmjet megafonit, u kanë bërë thirrje të qarta demonstruesve për qetësi, ndërprerjen e veprimeve të dhunshme e distancimin prej tyre, thirrje të cilat janë përsëritur disa herë, por grupet e demonstruesve kanë vazhduar dhunën tepër agresive me mjete të forta ndaj punonjësve të policisë.
Ne vlerësim të situatës së krijuar, drejtuesi i shërbimit të D.P.Q. Tiranë ka urdhëruar futjen në veprim të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, për forcimin e kordonëve të punonjësve të rendit që ndodheshin përballe turmës së dhunshme, kordonë, të cilët për rreth 30-40 minuta janë goditur me gurë, hunj dhe sende te tjera të forta si dhe lende plasëse dhe djegëse.
Menjëherë është bërë ndërrimi i forcave, janë tërhequr forcat e rendit dhe janë vendosur Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, duke formuar një perimetër kryesisht në pjesën ballore të selisë se Këshillit te Ministrave.
Pas 10 – 15 min. të menaxhimit të situatës nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, si dhe duke parë agresivitetin në rritje të demonstruesve, shtimin në numër të turmës si dhe përpjekjet e tyre për të çarë kordonin e forcave të policisë dhe depërtuar të selinë e Këshillit te Ministrave, me Urdhër të drejtuesit të shërbimit ka filluar përdorimi i gazit lotsjellës në drejtim të grupit të demonstruesve që ishin më aktiv në ushtrimin e dhunës ndaj punonjësve të policisë.
Edhe pas përdorimit të gazit lotsjellës grupi më agresiv i demonstruesve vazhdonte goditjet e punonjësve të policisë me gurë, pllaka të trotuarit, shishe me lëndë djegëse (bomba molotov) dhe mjete të tjera të forta.
Në këto kushte u vunë në veprim dy automjete ujë hedhës, për shpërndarjen e grupit të demonstruesve të dhunshëm para selisë se Këshillit te Ministrave.
Rreth orës 15.50, turma e demonstruesve filloi të shpërndahej, por një pjesë e tyre prej 350 – 400 veta kaluan me shpejtësi në drejtim të Piramidës, duke sulmuar selinë e Këshillit te Ministrave me mjete të forta, gurë e pllaka të hequra nga Piramida dhe Bulevardi. Njëkohësisht kanë tentuar të futen me forcë në krahun lindor të selisë se Këshillit te Ministrave, si dhe përmbysën 11 automjete të Policisë së Shtetit dhe private, të cilat gjendeshin në sheshin para dhe në krah të Piramidës dhe më pas disa prej tyre i dogjën, ndërsa të tjerat i dëmtuan rëndë.
Rreth orës 16.10, të gjendur para kësaj situate, është urdhëruar menjëherë zhvendosja e dy reparteve të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë nga pozicioni para selisë se Këshillit te Ministrave, në drejtim të pjesës veriore dhe lindore të saj, për të përballuar sulmin e demonstruesve në këtë drejtim dhe për të mos lejuar futjen e demonstruesve në selinë e Këshillit te Ministrave.
Nga ora 16.15 deri në orën 17.00, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të zhvendosura në pjesën veriore dhe lindore selisë se Këshillit te Ministrave, u përballen me një sulm shumë të dhunshëm të grupit të demonstruesve me gurë, pllaka trotuari, pllaka të hequra nga piramida, shkopinj druri, shishe me lëndë djegëse (bomba molotov), si rezultat u plagosen shume punonjës policie, disa prej te cilëve te plagosur rende. Efektive te plagosur edhe pse te rrezuar përtokë po goditeshin me gurë e pllaka betoni shume te rrezikshme për jetën .
Theksojmë se po ne këtë kohe ne te gjitha anët e selisë se Këshillit te Ministrave u intensifikua sulmi dhe goditjet me mjete te forta nga ana e demonstruesve ne drejtim te forcave te policisë dhe Gardës së Republikës, duke tentuar te hyjnë brenda rrethimit.
Gjate kësaj kohe një grup tjetër demonstruesish të dhunshëm u afrua tek porta nr. 1, e godinës se Selisë se Këshillit te Ministreve, dhe arritën që të hapin portën, duke goditur personelin e Gardës së Republikës me mjete të forta, gurë e pllaka trotuari.
Forcat e FNSH që ishin në krahun jugor të selisë se Këshillit te Ministrave, tentuan të zhvendoseshin në drejtim të grupit të demonstruesve qe ishin ne portës nr. 1 të selisë se Këshillit te por, për shkak të goditjeve te vazhdueshme, te dhunshme e intensive nuk u realizua ne kohe pozicionimi i tyre në afërsi të portës.
Rreth orës 16.45, janë nisur nga kullat “Binjake” një grup demonstruesish me një automjet tip “Benz” dhe kanë goditur urren antiterorr në oborrin e selisë se këshillit te Ministrave tek porta nr 1. Situata e dhunës të shkaktuar nga grupi i demonstruesve ndaj personelit të Gardës së Republikës në sektorin e mësipërm ka vazhduar rreth 45 minuta.
Në ndihmë të forcave të gardës kanë shkuar Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë që kanë ndërhyrë menjëherë, duke vendosur kordonin përpara selisë se Këshillit te Ministrave, në të gjithë pjesën perëndimore përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Edhe në këto momente sulmi i demonstruesve ka vazhduar në të gjithë drejtimet me mjete të forta ndaj punonjësve të policisë.
Gjate kësaj kohe u përhap informacioni se me rënien e errësirës do te përdoreshin arme zjarri për te sulmuar selinë e Këshillit te Ministrave. Duke vlerësuar situatën ne tërësi, dhe rreziqet që mund të vinin nga kushtet e pamjes së kufizuar, rreth orës 18.30, drejtuesit e operacionit urdhëruan fillimin e shpërndarjes së demonstruesve të dhunshëm dhe kapjen e shoqërimin e tyre në ambientet e policisë.
Krahas veprimeve të cituara më sipër, strukturat e Policisë së Shtetit kanë marrë dhe një sërë masash operacionale për kontrollin e të gjithë akseve rrugore, patrullimin në të gjithë qytetin e Tiranës, për parandalimin e akteve të dhunshme kriminale ndaj qytetarëve, njësive tregtare, në mbrojtje të jetës dhe të pronës së shtetasve, si dhe kapjen dhe shoqërimin në ambientet e policisë të personave të identifikuar si pjesëmarrës të dhunshëm në këtë demonstratë.
Kjo detyrë ka vazhduar edhe gjatë ditëve në vijim nga të gjithë strukturat vendore të policisë.
3. PAS ZHVILLIMIT TË DEMONSTRATËS
Masat për rivendosjen e rendit e sigurisë publike
Me rivendosjen e situatës përreth selisë se Këshillit te Ministrave, strukturat e Policisë së Shtetit vazhduan operacionin për kapjen dhe shoqërimin në ambientet e policisë të personave pjesëmarrës në këtë demonstratë, të cilët u evidentuan për kryerjen e veprimeve të dhunshme ndaj punonjësve të policisë dhe selisë se Këshillit te Ministrave, si dhe dëmtimin e pronës publike e private.
Dhënia e ndihmës mjekësore për të dëmtuarit ne këtë demonstrate të dhunshme, gjatë së cilës janë plagosur me mjete të forta gjithsej 94 punonjës policie. Nga punonjësit e policisë të plagosur, një prej tyre vazhdon të jetë në trajtim mjekësor ne spitalit ushtarak në gjendje jo të mirë shëndetësore.
Identifikimi dhe evidentimi i pajisjeve të dëmtuara, nga ku rezulton se janë dëmtuar 83 mburoja policie, 52 skafandra mbrojtëse, 5 automjete policie të djegura e 4 të dëmtuara. Gjithashtu janë djegur plotësisht katër automjete private dhe shtate te dëmtuara.
Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë u ka dërguar të gjithë drejtorive të policisë së qarqeve materialet filmike, të regjistruara gjatë zhvillimit të demonstratës së datës 21.01.2011 me qëllim evidentimin e personave që kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë, kanë shkatërruar me zjarr pronën shtetërore dhe private si dhe sulmuar me dhune selinë Këshillit te Ministrave.
Kryerja e veprimeve procedurale.
Nga ana jone është njoftuar Prokuroria për ngjarjet e ndodhura dhe nen drejtimin e prokuroreve ka filluar këqyrja e vendit të ngjarjes nga specialistët e fushave përkatëse të Policisë Shkencore duke punuar në tre drejtime; për këqyrjen e vendngjarjes para selisë se Këshillit te Ministrave, këqyrjen e kufomave në morgun e Mjekësisë Ligjore e këqyrjen e të dëmtuarve në Spitalin Ushtarak. Provat e fiksuara e marrë në vendet e ngjarjes janë administruar pjesërisht nga strukturat e Policisë së Shtetit e pjesërisht direkt nga vetë grupi i Prokurorëve të pranishëm në veprimet e këqyrjes.
Strukturat e Policisë së Shtetit nga data 21.01.2011 dhe në vazhdim kanë kryer veprime procedurale dhe i kane referuar ato ne Prokurori ndaj 126 shtetasve, për veprat penale; “Kundërshtimit të punonjësit të policisë të rendit publik”, “Goditjes për shkak të detyrës” dhe “Shkatërrim i pronës”, parashikuar nga nenet 236, 237, 150 dhe 25 të Kodit Penal, duke bërë arrestimin në flagrancë për 113 persona për veprat penale të sipërpërmendura. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë gjatë vlerësimit të masës së sigurisë, të gjithë këto arrestime i ka vlerësuar të ligjshme duke caktuar për 40 prej tyre masën e sigurisë “arrest në burg”, për dy masën e “arrestit në shtëpi”, ndërsa për të tjerët masën “detyrim për paraqitje”.
Më datën 23.01.2011 Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë ka dërguar materialin referues në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tirane për veprën penale “Thirrje publike për veprime të dhunshme, kundër rendit kushtetues”, parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal. Në këtë material bëhet fjalë për thirrjet e bëra publikisht nga disa drejtues të subjekteve politike në median e shkruar e atë elektronike për ushtrim dhune dhe cenim te rendit kushtetues gjatë demonstratës së datës 21.01.2011.
Strukturat e hetimit dhe parandalimit të krimeve në drejtoritë e policisë së qarqeve kanë identifikuar nëpërmjet materialeve filmike persona pjesëmarrës në demonstratë, që kanë kryer veprime të dhunshme dhe kanë bërë referimin në prokurori për veprat penale të parashikuara nga nenet 236, 237, 150 dhe 25 të Kodit Penal. Prokuroria bazuar në këtë dokumentacion ka nxjerrë urdhër ndalimi për 13 shtetas, të cilat janë ekzekutuar nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë, i janë dërguar, lista e punonjësve të policisë të plagosur me datë 21.01.2011, lista e automjeteve të dëmtuara dhe djegura, si dhe të gjitha raportet e shërbimit të përgatitura nga punonjësit e policisë të planifikuar me shërbim në datën 21.01.2011.
Në përmbushje të detyrimeve për hetimin e plotë dhe të gjithanshëm të çështjes, strukturat e hetimit dhe parandalimit të krimit të DPQ Tiranë u kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve për të dëshmuar pranë Policisë së Shtetit, në lidhje me dëmtimet e pronës, shëndetit apo çdo pasoje tjetër e ardhur si shkak i kryerjes së veprimeve të dhunshme që shoqëruan periudhën para, gjatë dhe pas zhvillimit të demonstratës së datës 21.01.2011.
Drejtoria e Policisë Qarkut Tiranë në bashkëpunim me drejtoritë e policisë së qarqeve vazhdojnë punën për identifikimin dhe referimin e materialeve në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë ndaj të gjithë individëve, që dyshohen se kanë kryer veprimtari kriminale më datë 21.01.2011.
Për kryerjen e veprimeve procedurale në mbështetje të grupit hetimor, të krijuar nga Prokuroria e rrethit Gjyqësor Tiranë, janë angazhuar gjithsej 122 punonjës policie, nga të cilët 55 specialistë te strukturave te posaçme për hetimin e parandalimin e krimit, 36 ndihmës specialistë për hetimin e parandalimin e krimit dhe 31 ndihmës specialistë gjyqësorë.
Nga analiza e bërë materialeve të grumbulluara dhe administruara nga strukturat e Policisë së Shtetit si dhe verifikimet në kartotekën e Departamentit Kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda për personat që kanë kryer veprime të dhunshme më datë 21.01.2011, deri tani rezulton se 321 prej tyre janë persona me precedent kriminal dhe penal.
IV. ANALIZA E PLANIT TË MASAVE
Gjatë këtyre ditëve strukturat e Policisë së Shtetit kanë zhvilluar analizat në lidhje me zbatimin e detyrave të përcaktuara në Planin e Masave të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike para, gjatë dhe pas demonstratës së datës 21.01.2011.
Në këto analiza është vlerësuar maksimalisht përkushtimi i punonjësve të policisë në kryerjen e detyrës si dhe zbatimi praktik, i përgjegjshëm e në përputhje të plotë me ligjin, i masave të parashikuara në planin përkatës.
Punonjësit e policisë të rendit publik dhe të Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë, përballuan me sukses për më shumë se 5 orë goditjet e demonstruesve me gurë, pllaka trotuari e sende të tjera të forta, si dhe lëndë djegëse (granata molotov), etj.
Përdorimi i mjeteve e pajisjeve speciale, gazit lotsjelles dhe ujëhedhësit për shpërndarjen e turmës së dhunshme, u kryen në kohën e duhur, vetëm pasi u paralajmëruan në mënyrë të përsëritur me megafon nga drejtuesit e shërbimit në zbatim të Planit të Masave.
Veprimet taktike të forcave policore për përballimin e sulmeve të demonstruesve, janë kryer konform kërkesave të ligjit për “Tubimet” dhe procedurave standarde të punës të rendit dhe sigurisë publike.
Përdorimi i forcës nga ana e punonjësve të policisë ndaj demonstruesve të dhunshëm është kryer në nivelin minimal të forcës së nevojshme, në përputhje me parimin e përpjesëtueshmërisë, duke përzgjedhur nivelin e nevojshëm të forcës ndërmjet mundësive të përshkallëzuara që ka përfshirë; bindjen me fjalë nëpërmjet thirrjeve të përsëritura për qetësi, ndërprerje të dhunës, shtrëngim fizik, përdorimi i gazit lotsjelles dhe përdorimi i ujëhedhësve. Të gjitha këto veprime të punonjësve të policisë janë konform kërkesave të Ligjit “Për Policinë e Shtetit”.
Zinxhiri i komandës, dhënia e transmetimi i urdhrave e detyrave nga drejtuesit e shërbimit deri tek drejtuesit e njësive, reparteve, sektorëve dhe seksioneve ka funksionuar normalisht.
Për veprimet e kryera nga Policia e Shtetit, kemi mare dhe vlerësime pozitive nga Misioni policor i BE, PAMECA III.
Në përfundim dëshiroj të garantoj Komisionin Hetimor dhe, nëpërmjet Jush, Kuvendin e Shqipërisë dhe gjithë qytetarët se, Policia e Shtetit do të vazhdojë të kryejë me përgjegjshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm detyrat që i ngarkon ligji për mbrojtjen e rendit kushtetues dhe garantimin e sigurisë publike në gjithë territorin e vendit.
FUND