Perëndimi po kërkon tranzicion të menjëhershëm të pushtetit. Zëvendëspresidenti ka biseduar me përfaqësues të protestuesve dhe opozitës
Është ndërprerë furnizimi me gaz nga Egjipti drejt Izraelit dhe Jordanisë pas një akti sabotazhi në tubacionin e gazit në Sinai. Sulmi ndodhi në ditën e dymbëdhjetë të protestave kundër regjimit 30-vjeçar të Hosni Mubarakut.
Televizioni shtetëror egjiptian ka fajësuar terroristët e huaj për sulmin në gazpërcjellësin në Sinai. Burimet izraelite thanë se sulmi nuk ishte në afërsi të tubacionit kryesor të importit drejt Izraelit, por në gazpërcjellësin që shkon në Jordani, e prej andej në lindje të Izraelit.
Incidenti ka rritur shqetësimet në shtetin hebrej për raportet afatgjata me Egjiptin fqinj, që është njëherësh partneri më i madh tregtar në Lindjen e Mesme. Presidenti egjiptian e ka diskutuar gjendjen e krijuar nga shpërthimi me drejtuesit e ekonomisë në qeveri dhe me guvernatorin e Bankës Qendrore.
Nga fronti politik presidenti, Mubarak nuk po tregon asnjë shenjë tërheqje me gjithë vazhdimin e protestave dhe deklaratat e Shtëpisë së Bardhë dhe drejtuesve evropianë, që po e distancojnë veten nga regjimi egjiptian.
Abdel Rrahman Jusuf, një nga drejtuesit e protestave, ka deklaruar se disa nga organizatorët e demonstratave masive në Kajro janë takuar mbrëmjen e së premtes me kryeministrin Ahmed Shafik për të diskutuar largimin e Mubarakut.
Jusuf ka theksuar se takimi nuk shënon fillimin e negociatave, por ishte më shumë një mundësi për të parë se si e shohin palët zgjidhjen e krizës. Mesazhi i protestuesve për kryeministrin ishte se regjimi “duhet të njohë legjitimitetin e revolucionit dhe se Mubaraku duhet të largohet ose fizikisht ose politikisht”, ka theksuar Jusuf.
Ky i fundit ka nënvizuar se protestat do të vazhdojnë deri në largimin e Mubarakut.
Në sheshin Tahrir edhe në fundjavë kishte me mijëra njerëz. Pas faljes së mesditës, policia është përpjekur të prishë barrikadat e ngritura nga protestuesit. Këta të fundit janë parë të shtrihen para tankeve, për të mos lejuar prishjen e barrikadave.
Marshimi i së shtunës është quajtur “Marshimi i Solidaritetit”. Raportohet se Shtëpia e Bardhë po ndërmjetëson largimin e menjëhershëm të Mubarakut dhe kalimin e pushtetit te një qeveri tranzicioni e mbështetur nga ushtria dhe e drejtuar nga Omar Sulejman, ish-shef i shërbimit të zbulimit të Mubarakut, i cili një javë më parë është emëruar si zëvendëspresident.
Presidenti amerikan, Barak Obama, ka deklaruar se gjithë bota i ka sytë nga zhvillimet në Egjipt.
“Momentalisht, një qytetërim i madh e i lashtë po kalon përmes një periudhe tronditjesh dhe ndryshimesh. Ndonëse ka shumë sfida dhe pasiguri, kam besim të plotë se populli i Egjiptit mund të sendërtojë të ardhmen që meriton. Në këtë rrugë të tyre, ata do të kenë një mik dhe partner të fortë te Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, ka thënë Obama.
Zëvendëspresidenti Sulejman u ka ofruar bisedime protestuesve dhe gjithë forcave politike për të mundësuar ndryshimet kushtetuese, në mënyrë që të organizohen zgjedhjet e lira.
Ky është një hap domethënës kur kihet parasysh se ftesa përfshinte dhe një grup të ndaluar islamik që të ketë një rol politik në Egjiptin pasmubarakian.
Protestuesit vazhdojnë të këmbëngulin se Mubaraku duhet të largohet përpara se të fillojnë bisedimet për ndryshimet kushtetuese.
Egjipti, por dhe gjithë Lindja e Mesme është përfshirë nga një stuhi e tendencave të reja e të fuqishme, ka deklaruar Klinton në Mynih.
“Udhëheqësit në rajon mund të jenë në gjendje ta mbajnë të shtrënguar kontrollin për një kohë, por jo për shumë kohë. Kjo është ajo që kemi mësuar gjatë dy javëve të fundit. Kjo është ajo që i ka nxjerrë njerëzit në rrugët e Tunizit, Kajros dhe qyteteve të tjera në gjithë rajonin", ka thënë Klinton.
Marrë nga radio Evropa e Lirë