Portali më i njohur i komunikimit elektronik në botë Facebook shënoi ditë më parë 7-vjetorin e krijimit. Përdorimi i tij si mjet politik-për dërgimin e mesazheve politike thuhet se është rritur brenda viteve edhe në Kosovë. Disa nga përfaqësuesit e skenës politike kosovare folën për radion Evropa e Lirë për përvojën e tyre dhe arsyen pse kanë dhe përse e përdorin Facebook-un Njihet si rrjeti më i popullarizuar për shoqërim në internet dhe pavarësisht konkurrencës, ai cilësohet të jetë portali më i përdorur i komunikimit elektronik - është ky Facebook-u.
Për të janë bërë filma - ndër më të njohurit “The Social Network” me regji të David Fincher, janë shkruar poezi e madje janë bërë këngë të tipit të ashtuquajtur tallava.
Ditë më parë Facebook-u shënoi shtatë vjetorin e ekzistimit dhe thuhet se përdoret nga mbi 600 milionë njerëz në mbarë botën. Përmes këtij rrjeti thuhet se brenda ditës publikohen mbi 14 milionë fotografi të reja.
Pas krijimit të një profili, Facebook mund të përdoret, ndër të tjera, për publikimin dhe shkëmbimin e listave të interesave personale, informatave kontaktuese dhe si mjet komunikimi përmes mesazheve private ose publike.
Përkthyer fjalë për fjalë në shqip do të quhej Libër i fytyrës, mirëpo përdorimi i tij duket se shkon përtej shkëmbimit apo publikimit të fotografive, e jo vetëm në botë, por edhe në Kosovë.
Në mesin e dhjetëra - mijëra qytetarëve në Kosovë, Facebook-un e përdorin edhe politikanët: Zenun Pajaziti, Bajram Rexhepi, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku e Xhavit Haliti nga Partia Demokratike e Kosovës; Sabri Hamiti, Ismet Beqiri, Arben Gashi e Vjosa Osmani nga Lidhja Demokratike e Kosovës; pastaj Ardian Gjini, Avni Arifi e Ahmet Isufi nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës janë në mesin e atyre që komunikojnë përmes këtij rrjeti.
Megjithatë, në bisedat me Radion Evropa e Lirë, disa nga politikanët që përdorin Facebook-un folën për qëllime të ndryshme të përdorimit të këtij rrjeti.
Teuta Sahatçija nga LDK-ja tha se e përdor Facebook-un vetëm për qëllime private dhe se në rrethin e miqve ka vetëm njerëz që njeh personalisht.
“Në këtë Facebook-un tim jo - ndoshta shumë pak, ndoshta vetëm fotografi gjatë fushatës, por jo. Ekzistojnë faqet e partisë, faqet e tjera, të cilat kanë më tepër informata apo gjëra për partinë, mirëpo Facebook-u im është më i qetë”, u shpreh Sahatçija.
Ndërkaq, Burim Ramadani nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, tha se krahas qëllimit shoqëror, Facebook-un e përdor dhe për dërgimin e mesazheve politike.
“Facebook-u është dritare ose mjet për të komunikuar me njerëz. Unë marr tepër shumë mesazhe, ndoshta rreth 50 mesazhe në ditë - kryesisht mesazhe politike prej njerëzve të ndryshëm, qoftë nga ata që janë kundër projektit tonë, qoftë nga ata që e përkrahin projektin tonë politik. Por, ka komunikim shumë të shpeshtë”,tha Ramadani.
Sociologët në Prishtinë vlerësuan se përdorimi i Facebook-ut nga politikanët, bëhet kryesisht për dërgimin e mesazheve politike. Kjo gjë, sipas sociologes, Maria Berishaj, ka mundur të vërehet sidomos gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e fundit në Kosovë.
Ajo tha se gjatë fushatës Facebook-u është përdorur në mënyrë më aktive nga partitë e reja, si Fryma e Re apo Lëvizja Vetëvendosje, të cilat, sipas saj, e kanë vlerësuar atë si mjet më efikas për ndikimin te masa.
“Partitë e reja, të cilave u janë dashur më shumë vota, kanë qenë më agresive - prandaj kanë përçuar më tepër mesazhe në Facebook. Ndërsa, partitë që kanë qenë ndoshta më të vjetra në këtë sistem kanë qenë më mirë të organizuara në terren - kanalet e informimit i kanë pasur më mirë të organizuara në terren - prandaj dhe nuk e kanë përdorur aq shumë Facebook-un për të pasur marrëdhënie me votuesit potencialë apo me qytetarë”, theksoi Berishaj.
Përdorimi i Facebook-ut si mjet për dërgimin e mesazheve politike, duket se ka ndikuar në bllokimin e përdorimit të tij në baza të ndryshme në vendet si Kina, Vietnami, Irani, Uzbekistan, Pakistan dhe të tjera.