English

Hans Dieter Steinbach: Angazhimi gjerman në Kosovë do të vazhdojë

Prishtinë, 5 shkurt, NOA - Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Hans Dieter Steinbach, thotë se pas publikimit të raportit të Dik Martit, qeveria e re e Kosovës duhet të punojë shumë për ta përmirësuar imazhin e dëmtuar të vendit.

Ambasador Steinbach, si i shihni zhvillimet e fundit në Kosovë, fjalën e kam këtu për zgjedhjet e parakohshme që ndodhën dhe problemet që u shfaqen në këto zgjedhje?

Unë dua të përmend dy gjëra, që mendoj se janë të rëndësishme. E para dhe e mira është, që i gjithë procesi duke filluar nga kriza që patëm me rastin e zgjedhjeve ka kaluar mirë dhe sipas rregullave kushtetuese. Një lavdatë e meritojnë KQZ-ja dhe PZAP-ja, sepse nuk ka qenë e lehtë që të organizohen këto zgjedhje në një kohë shumë kaq të shkurtër. Një sinjal jashtzakonisht pozitiv ka qenë edhe pjesëmarrja e lartë e komunitetit serb në këto zgjedhje. Por megjithatë ka pasur edhe një sërë mangësish të tjera, duke filluar me manipulimin e zgjedhjeve, tentativave për t’i falsifikuar ato, etj., të cilat kanë dëmtuar të gjithë procesin. Ndonëse këto gjëra kanë ndodhur vetëm në disa komuna, megjithatë ato e kanë dëmtuar procesin demokratik. Mirëpo me angazhimin e KQZ-së, PZAP-së dhe Gjykatës Supreme është bërë e mundur që këto probeme të tejkalohen në mënyrë të kënaqshme. Dhe meqenëse PZAP, ka hedhur poshtë një sërë ankesash, shpresojmë që së shpejti të kemi çertifikimin e rezutateve të zgjedhjeve.

Deputetët që do të hyjnë në parlamentin e Kosovës, mund të cilësohen potësisht legjitimë, nëse marrim parasysh manipulimet që ndodhën në zgjedhje për të cilat flisni dhe ju?

Nëse KQZ çertifikon rezultatet e këtyre zgjedhjeve - që shpresojmë se do të ndodhë në ditët e ardhshme - atëherë besoj se çështja e legjitimitetit të këtyre deputetëve nuk do të jetë më e diskutueshme. Zoti ambasador Steinbach, tani pritet krijimi i institucioneve të reja, bisedimet për koalicione qeveritare kanë filluar. Nga perspektiva e një dipomati, jeni Ju për një qeveri gjithpërfshirëse, apo që në Kosovë të ketë një pozitë dhe opozitë të mirëfilltë?

Detyra e formimit të qeverisë është detyrë e politikanëve dhe partive politike në Kosovë. Me këtë rast duhet të merret parasysh edhe vullneti i votuesve. Vendimtare është që partitë politike, që do ta formojnë qeverinë e ardhshme, të merren vesh dhe të përcaktojnë parime të përbashkëta për krijimin e qeverisë. Gjatë bisedave për krjimin e koalicioneve, pikë kryesore duhet të jenë edhe çështjet faktike, sepse trajtimi i çështjeve themelore faktike duhet të jetë edhe baza për krijimin e një qeverie ndërmjet koalicionit qeverisës. Mirëpo, në përgjithësi sikurse në të gjitha vendet tjera demokratike vlenë parimi që në një shtet duhet të ketë edhe një opozitë të fuqishme, e cila do t’i kontrollonte të gjitha veprimet e qeverisë.

Zoti ambasador cilat janë sfidat, me të cilat do të përballen institucionet e reja?

Sigurisht që ekzistojnë disa sfida me të cilat do të përballen institucionet e Kosovës. Unë këto do t’i ndaja në sfida afatshkurtëra dhe afatmesme. Tek grupi i parë, bën pjesë miratimi i buxhetit për vitin 2011. Një tjetër sfidë ekonomike-politike mendoj se është edhe çështja e privatizimit, i cili do të duhej të bëhej në mënyrë të rregullt, transparente dhe sa më të shpejtë. Tek sfidat që kanë të bëjnë me politikën e jashtme bën pjesë nisja e dialogut të paralajmëruar me Serbinë dhe këtu është shumë më rëndësi që ky dialog, të nisë menjëherë pas formimit të qeverisë së Kosovës, e të zhvillohet në mënyrë të shpejtë dhe konstruktive. Në aspektin afatgjatë Kosova do të përballet me sfidën që ka të bëjë me integrimet evropiane dhe në këtë kuadër është shumë e rëndësishme, që qeveria e re e Kosovës të mundohet t’i plotësojë kushtet dhe kriteret përkatëse të nevojshme për një afrim me Bashkimin Evropian. Ambasador Steinbach, këto ditët e fundit patëm një rezolutë të Këshillit te Evropës dhe raportin i Dik Martit, këto zhvillime ndodhën para bisedave të paralajmëruara me Serbinë. Mendoni se këto zhvillime e kanë dëmtuar procesin e bisedimeve?

Së pari duhet të bëj një konstatim. Si raporti e Dik Martit , ashtu edhe rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës duhet të merren shumë seriozisht nga të gjitha palët. Në këtë linjë ne e përshëndesim gatishmërinë e treguar të institucioneve të Kosovës, atyre në Serbi, dhe Shqipëri për të bashkëpunuar me organet hetuese, në qoftëse vjen deri te një hetim. Ky është një aspekt shumë i rëndësishëm për Gjermaninë. Megjithatë mendoj se raporti i Dik Martit dhe Rezoluta e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë në dialogun e paralajmëruar me Serbinë, i cili do të zhvillohet me ndërmjetësimin e BE-së.

Zoti ambasador është dëmtuar imazhi i Kosovës pas publikimit të raportit të Dik Martit?

Mund të themi me siguri se zhvillimet që ndodhën javët e shkuara rreth këtij raporti, po ashtu njoftimet për manipulimin e zgjedhjeve, e kanë dëmtuar imazhin e Kosovës. Pikërisht për këtë mendoj se është e rëndësishme, që qeveria e re e Kosovës që të bëjë gjithçka që është e mundur, për të përmirësuar imazhin e Kosovës. Në këtë linjë është obligim dhe përgjegësi edhe e përfaqësive diplomatike të Kosovës që në ato vende ku ato janë prezente, të përpiqen të përmirësojmë imazhin e Kosovës ta shnëdrrojnë pasqyrën e Kosovës, e cila paraqitet si një vend i krizës, një vend i dhunës apo një vend i trazirave në një pasqyrë reale. Zoti ambasador, cilat janë raportet Gjermani-Kosovë, ka kohë qe nuk kemi parë një udheheqës të lartë të Kosovës të jetë ftuar në Gjermani, apo një diplomat të lartë evropian që ka vizituar Kosovën, a po izolohet Kosova?

Kosova sigurisht nuk po izolohet. Meqë po flasim për marrëdhëniet gjermano-kosovare: vitin e shkuar kemi pasur një sërë vizitash të politikanëve gjermanë në Kosovë dhe vizita të politikanëve kosovarë në Gjermani. Në maj të vitit të kaluar Presidenti Sejdiu bëri një vizitë zyrtare në Berlin. Pas kësaj vizite, ishte Ministri i jashtëm gjerman që vizitoi Kosovën, po ashtu ishte këtu edhe Ministri Federal gjerman i Mbrojtjes, kështu që mendoj se në përgjithësi ka pasur një shkëmbim intensiv vizitash në këtë aspekt. Përveç kësaj, ka pasur vizita të parlamentarëve gjermanë në Kosovë dhe politikanëve kosovarë në Gjermani, kështu që nuk mund të flitet për një izolim të Kosovës. Këto vizita do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Ne jemi të interesuar për stabilitetin e rajonit dhe në këtë stabilitet bëjnë pjesë edhe vizitat dhe takimet e ndryshme.

Zoti, ambasador, cili do të jetë roli i Gjermanisë në bisedimet Kosovë-Serbi?

Dialogu do të zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së, ashtu siç është paralajmëruar dhe ne si Republikë Federale e Gjermanisë e mbështesim këtë dialog. Me këtë rast shpresojmë që sa më shpejt të arrihen rezultate konkrete, në interes të të gjitha qytetarëve. Ne si pjesë e BE-së jemi të interesuar që kjo të ndodhë dhe e mbështesim shumë këtë dialog.

Ambasador Steinbach, që nga paslufta kemi parë angazhimin gjerman në Kosovë si në aspektin politik ashtu edhe atë kulturor dhe ekonomik. Do të vazhdojë ky angazhim edhe më tutje?

Nuk ka dyshim në këtë aspekt. Kjo mbështetje që ka qenë deri tash do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Që nga përfundimi i luftës në Kosovë ne kemi dhënë një mbështeje intensive për Kosovën. E shprehur në shifra kjo mbështetje arrinë shumën prej 370 milion eurove, që Gjermania i ka dhënë për bashkëpunimin zhvillimor politik me Kosovën. Pos kësaj, kemi nxitur edhe bashkëpunim kulturor. Një shembull i mirë në këtë drejtim janë "Javët Gjermane", të cilat i organizuam me sukses të jashtzakonshëm para dy vitesh. Ne jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta vazhdojmë edhe në të ardhmen, qoftë në aspektin politik, në lidhshmëri me njohjet e reja të shtetit të Kosovës, apo anëtarësimin e saj në strukturat ndërkombëtare. Një pikë të rëndësishme të angazhimit gjerman në Kosovë paraqet edhe angazhimi i personelit gjerman në Kosovë, qoftë në kuadër të KFOR-it, apo brenda EULEX-it - dy misione jashtëzakonisht të rëndësishme, të cilat po japin kontributin e tyre në stabilitetin e Kosovës.

DW

KOMENTE