Prishtinë, 5 shkurt, NOA – Nga mbi 70 shtetasit e Kosovës që kërkuan ndihmë nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për t’u evakuuar nga Egjipti, ka arritur të mbërrijë në Kosovë grupi i parë i tyre, prej 21 vetash.
Me ndihmën e kryetarit të Aleancës Kosova e Re, Bexhet Pacolli, ata janë nisur dje në mëngjes në orën 03:40 nga aeroporti i Kajros.
“Situata e rënduar e ditëve të fundit në Egjipt, solli domosdoshmërinë e tërheqjes së shtetasve të huaj nga ky shtet”, kanë pohuar zyrtarë të AKR-së.
Ndërkaq, 13 shtetas të Kosovës nuk kanë arritur të udhëtojnë nga Kajro për në Stamboll pasi ambasada e Kosovës në Ankara i ka pajisur me fletë udhëtime foshnjat nën moshën 2-vjeçare që janë kopje, e jo dokumente origjinale.
Një nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar të Kosovës në Kajro, ka komunikuar para pak ditësh se ishin rreth 50 studentë dhe 20 shtetas të tjerë që kanë ngelur të izoluar dhe kërkonin ndihmë për evakuim nga Ministria e Jashtme e Kosovës.
n.e/NOA