Korçë, 5 shkurt 2011, NOA – Forcat policore të shërbimit kufitar në Liqenas të qytetit të Korçës kanë kapur një sasi prej 300 kg peshku cironë kontrabandë dhe kanë arrestuar tre kontrabandues të peshkut, dy shtetas shqiptarë dhe një grek. Policia e Korçës bëri të ditur se sasia e peshkut kontrabandë u kap sot në orët e para të mëngjesit gjatë patrullimit nga forcat e stacionit të Postës Kufitare në Liqenas.
Mësohet se patrulla kufitare duke kryer shërbimin përgjatë vijës së liqenit në vendin e quajtur “Gjiri i Gollombocit” aty ku ndahen kufijtë midis tre shteteve Shqipëri-Greqi-Maqedoni, ka mundur të kapë të dy shtetasit shqiptarë dhe një shtetas grek.
Të arrestuarit janë shtetasit shqiptarë Olsi Trajce 22 vjeç lindur dhe banues në fshatin Kallamas të komunës Liqenas në Korçë; Janaq Vangjelovski 53 vjeç lindur dhe banues në fshatin Goricë e vogël më komunën Liqenas të Korçës, si dhe shtetasin grek Anastasios Dhimonopulo 52 vjeç lindur dhe banues në Milicë të Greqisë. Sipas policisë së Korçës tre shtetasit e arrestuarit u kapën duke kaluar një sasi prej rreth 300 kg peshk (cirona) dhe rreth 370 ml rrjetë peshkimi nga varka e shtetasit grek për në varkën e shtetasve shqiptarë.
Policia e Korçës po punon ende për kryerjen e veprimeve hetimore procedurale për zbardhjen e veprës në fjalë.
mit/NOA