English

Kreu i policisë: Rama nuk reagoi pas mesazhit tim, por dhunuesit do hetohen

Tiranë, 5 shkurt 2011, NOA- (Update) I kam çuar mesazh Edi Ramës për të tërhequr turmën por nuk pata asnjë reagim”, deklaroi gjatë raportimit të tij para Komisionit Hetimor, Hysni Burgaj.

Më tej, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit tha se, është ngritur padi për të gjithë ata, qoftë politikanë apo demonstrues që i parashikon ligji, por lidhur me eksponentë të Partisë Socialiste, që sipas anëtarëve të komisionit kanë nxitur dhunën, ai tha se nuk janë marrë masa të veçanta.

Por sipas tij kushdo që do identifikohet si dhunues do hetohet.

Më tej ai tha se në bazë të informacioneve konfidenciale janë kapur eksponentë të cilët do të kishin rënduar më tepër situatën.

Sipas tij pjesa më e madhe e tyre vinte nga Kopliku dhe Shkodra të organizuar në grupe dhe ndërkohë po vijojnë hetimet për lidhjet mes tyre.

Më tej ai tha se është bërë analiza e punës së policisë gjatë 21 janarit dhe sipas Burgaj: “Unë e them me krenari policia ke qenë në nivelin më të lartë të saj me lëvizjet taktike policore, në momente të caktuara”.

Ndër të tjera ai theksoi se, “Në momentin që kam marrë informacionin për viktima, kam marrë në telefon Prokuroren e Përgjithshme për ngritjen e trupit të hetimit të prokurorëve dhe jam informuar se shumë shpejt ka mbërritur në vendngjarje trupi hetimor”.

Gjithashtu Burgaj tha se Policia e Shtetit gjithnjë ka qenë bashkëpunuese me prokurorinë.

I pyetur nga komisioni lidhur me lejen e dhënë për mbajtjen e tubimit, Burgaj pranoi se për datën 21 janar ka patur mangësi.

Ai tha se Policia e Tiranës ka kërkuar numrin, organizatorët dhe një sërë të dhënash të tjera të cilat nuk kanë ardhur deri në momentin e përfundimit të tij.

Pak minuta më parë kreu i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj mbylli rrëfimin e tij para trupit të komisionit hetimor i cili u ngrit nga Parlamenti, vetëm dy ditë pas demonstratës së 21 janarit, por edhe pse kanë kaluar rreth 10 ditë nga ngritja e tij opozita bojkoton punimet.

a.y/NOA

KOMENTE