Tiranë, 5 shkurt 2011, NOA – Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi sot se lidershipi i Partisë Socialiste Edi Rama ka frikë nga zgjedhjet vendore të 8 majit. Meta theksoi sakaq se “opozita e drejtuar nga Edi Rama është e vetmja opozitë në botë që ka frikë nga zgjedhjet.
Kreu i LSI-së e argumentoi frikën e lidershipit të PS-së për të garuar në zgjedhjet e 8 majit me faktin se “të ndërtosh një strategji destruktive vetëm për të shmangur ballafaqimin në zgjedhje tregon përfundimisht se kemi të bëjmë me një lidership të dëshpëruar dhe natyrisht që kemi të bëjmë me një opozitë, që ndihet gjithnjë e më shumë pakicë çka e tregojnë dhe manifestimet e saj, jo vetëm tërësisht të sforcuara por dhe gjithnjë e në rënie”.
I pyetur në lidhje me turin elektoral, ndërkohë që opozita ka deklaruar se mund të mos marrë pjesë në zgjedhje, meta bëri me dije se “Turi është paraelektoral për shkurtin dhe për marsin dhe natyrisht që ka nisur me intensitet të jashtëzakonshëm”.
Sa i përket mundësisë që LSI të garojë përballë PD-së në rast se opozita bojkoton zgjedhjet vendore, Kryetari i LSI-së nënvizoi se “LSI është e përgatitur për të dyja variantet, kjo është dhe arsyeja që LSI po përzgjedh kandidatët e saj për çdo bashki për çdo komunë”.
Sipas Metës falë përgatitjeve të gjithanshme, LSI është e bindur se zgjedhjet e 8 majit do të konfirmojnë një realitet krejt të ri në drejtimin e pushtetit vendor, ku sipas metës LSI do të ketë absolutisht një rol shumë herë më të madh se sa sot.
Këtë deklaratë Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim e bëri gjatë takimit që zhvilloi me Kryeministrin e Bosnjë-Hercegovinës Mustafa Mujezinoviç.
mit/NOA