Niveli informimit të mediave në Maqedoni ka shënuar rënie, vlerësojnë përfaqësuesit e disa medieve, duke komentuar zhvillimet politike në këtë vend. Shkas për këtë, sipas tyre, është tendenca e pushtetit për të ndikuar mbi politikat redaktuese, por një pjesë të madhe të fajit e bartin edhe gazetarët që kanë lejuar pronarët e tyre të pozicionohen qoftë të anën e pushtetit, qoftë të opozitës
Isuf Kadriu
Përfaqësuesit e disa mediave pranojnë se informimi i drejtë dhe i paanshëm gjatë katër muajve të fundit ka rënë dukshëm, sidomos pas ndërhyrjes së organeve shtetërore në Televizionin A1.
Përveç uljes së nivelit të informimit dhe rritjes së ndikimit të politikës mbi mediat, ngjarjet e fundit kanë çuar edhe në konfrontimin mes vetë gazetarëve.
Xhelal Neziri, zëvendëskryeredaktor i gazetës “Koha e Re”, beson se mediat ndodhen në këtë situatë për shkak të interesave të ndryshme të përfitimit nga ana e pronarëve të mediave, por, nga ana tjetër, edhe interesit qeverisë për të pasur sa më shumë ndikim mbi politikat redaktuese të mediave.
Humbësit më të mëdhenj në këtë situatë, sipas Nezirit, janë gazetarët dhe roli i tyre për informim të drejtë.
“Kjo garë, e cila bëhet për marrjen e pjesës më të madhe të të hollave buxhetore, ka bërë që pronarët e mediave të afrohen apo largohen në ekstrem me Qeverinë. Pushteti, nga ana tjetër, ka krijuar një situatë të atillë saqë vetë mediat të involvohen në ngjarjet politike në Maqedoni, e jo të jenë mbikëqyrës dhe të luajnë misionin për informim të drejtë dhe objektiv mbi ato ngjarje. Pra, mendoj se problemi kryesor buron nga politika përzgjedhëse e këtij pushteti të kryesuar nga Nikolla Gruevski”, thotë Neziri.
Duke komentuar zhvillimet e këtilla, komunikologu Robert Beliçanec thotë se mediat në Maqedoni gjithnjë e më shumë po humbin shansin që të jenë mbrojtësit e vërtetë të demokracisë.
“Kjo që po ndodh në 3-4 muajt e fundit është kulmi i një procesi të gjatë, i cili vlon para së gjithash në sistemin politik, por edhe në atë mediatik. Mediat maqedonase nuk e bënë asnjëherë atë që duhet, ndaj dyshoj se edhe tani do të mund ta bëjnë – pra, ruajtjen e demokracisë ”, vlerëson Beliçanec.
Ndërkohë, kryeredaktori i revistës Kapital, Lupço Zikov, thotë se e gëzon fakti që para disa ditësh dështoi debati në Parlament ku duhej të diskutohej për mediat në vend.
Sipas tij, po të ndodhte e kundërta, atëherë do të konfirmohej dorëzimi i mediave para politikës.
“Unë mendoj se debati duhet të bëhet mes vetë gazetarëve dhe jo në Parlament. Mendoj se është e çmendur ideja që të debatohet në Parlament për biznesin e medias dhe për nivelin e tyre, pasi që kështu vetëm do të konfirmojmë se u jemi dorëzuar presioneve të politikës që ato të ndikojnë në liritë e mediave”, shprehet Zikov i cituar nga Free Europe.
Gjendja e këtillë, në të cilën ndodhen mediat në vend, do të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë tërheq vërejtjen, Xhelal Neziri nga gazeta “Koha e Re”.
“Pra, do të shkojë një kohë shumë më e gjatë që të ulen gjakrat midis mediave, të profesionalizohen të gjitha mediat dhe gazetarët, në mënyrë që mision të parë të kenë informimin e drejtë dhe objektiv”, thekson Neziri.